BSH: Besimi i biznesit te ekonomia pësoi rënie në fund të 2011-ës

Besimi i biznesit dhe konsumatorëve te ekonomia ka pësuar rënie gjatë tremujorit të fundit të vitit 2011. Kjo është konstatuar nga Banka e Shqipërisë.
Sipas saj, treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi një rënie me 7.9 për qind, një ecuri negative e ndikuar nga rënia e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që në përmirësim të ulët rezultoi besimi në sektorin e industrisë dhe besimi konsumator.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit shënoi në tremujorin e katërt të vitit 2011 vlerën më të ulët historike, duke pësuar një rënie me 7.2 %. Kjo si pasojë e vlerësimeve negative për të gjithë përbërësit, duke filluar nga kërkesa, situata e prodhimit dhe deri te situata e punësimit.
Një rënie edhe më të fortë pësoi treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve, që për tremujorin e katërt u ul me 10.4%, duke arritur minimumin historik.
Gjendja e përgjithshme e biznesit, financat dhe punësimi, rezultuan në përkeqësim, gjë që shkaktoi rënien drastike të treguesit të besimit në këtë sektor. Në rritje me 0.8 % rezultoi treguesi i besimit në industri. Përmirësimi erdhi si rrjedhojë e vlerësimeve më pozitive të bizneseve të sektorit për situatën e punësimit dhe për gjendjen e inventarëve.
Treguesi i besimit të konsumatorëve u rrit për të dytin tremujor radhazi, me 3.1 %. Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi i këtij treguesi reflekton balancën pozitive të blerjeve në shuma të mëdha, por edhe përmirësimin e situatës së kursimeve.
Banka vlerëson githashtu se konsumatorët kanë pritshmëri në rënie për gjendjen financiare të familjeve të tyre në fillimin e vitit 2012.
Ballkanweb.com
Add new comment