Danezët vendosin Shengenin sërish nën presion

Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështjet e Brendshme Cecilia Malmstrom përballet me një tjetër sfidë të inicuar nga Danimarka mbi udhëtimin në vendet e Shengenit. Problemi u ngrit pas mosmarrëveshjeve mes Danimarkës nga njëra anë dhe Finlandës, Francës dhe Gjermanisë në krahun tjetër të cilat kanë përfaqësuar interesat daneze në ato vende ku Danimarka nuk ka pasur përfaqësim diplomatik.
Një zëdhënës i komisioneres deklaroi se mosmarrëveshjet mes këtyre shteteve kanë krijuar "një situatë jo të mirë dhe të vështirë" dhe se Komisioni do ta ndjekë nga afër këtë çështje. "Komisioni do të mbajë kontakte me autoritetet daneze dhe me shtetet e tjera të përfshira në këtë konflikt me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që do të siguronte funksionimin e marrëveshjes së Shengenit"- ka deklaruar mes të tjerash zëdhënësi i komisioneres.
Në shtator të vitit të kaluar, Danimarka pezulloi marrëveshjen me Finlandën e Gjermaninë pasi këto shtete refuzuan kërkesën e saj për kalimin në sitë të vendimeve për dhënie të vizave nga konsullatat e tyre. Edhe Franca i dha fund një marrëveshjeje të ngjashme me Danimarkën në shenjë proteste kundër këmbënguljes së saj për të rishikuar të gjitha aplikimet për viza që Franca ka dashur të refuzojë.
Albanian Screen
Add new comment