Zgjedhjet në universitete, shtyhet në mars sezoni i provimeve

Postuar në 25 Janar, 2012 03:09

Provimet e semestrit të parë për të gjithë studentët, ndryshe nga vitet e kaluara, do të zhvillohet në muajin mars. Arsyeja e kësaj shtyrjeje janë zgjedhjet për drejtues të universiteteve, që do të zhvillohen në datën 20 shkurt. Sipas Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, Dhori Kule qëllimi është që studentët të mos ndikohen nga përballja me pedagogët dhe për të votuar me transparencë të parapëlqyerit e tyre në drejtim të fakulteteve, dekanateve dhe rektorateve. 

Kjo, pasi ligji aktual i jep të drejtën e votës edhe studentëve. Gjithashtu ai sqaroi, se gjatë muajit shkurt do të zhvillohen leksione për semestrin e dytë të studimeve. Kule bëri të ditur edhe pezullimin e disa prej kompetencave që kanë drejtuesit aktualë të universiteteve. Këto kompetenca kanë të bëjnë me rekrutimin apo me lëvizjen e stafit, si dhe me aktivitete që lidhen me ciklin e tretë të studimeve. 

Ai konfirmoi edhe kandidaturat e pjesës më të madhe të drejtuesve aktualë, si dhe të drejtën e kandidimit të drejtuesve që janë në prag të pensionit. Në të njëjtën kohë është bërë edhe miratimi i rregullores, ku do të bazohen edhe zgjedhjet në universitete. Për të qenë korrektë me zgjedhjet, komisionet që më parë ngriheshin nga dekani dhe miratoheshin nga senati, sipas rregullores së re do të krijohen me short.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.