Referendumi i serbëve, Kuvendi e shpall të paligjshmëm

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka shpallur të pavlefshëm dhe ilegal referendumin e serbëve në pjesën veriore të Kosovës. Në deklaratën e miratuar me 64 vota pro, asnjë kundër dhe me abstenimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se ky akt e cenon sovranitetin e Kosovës dhe është ndërhyrje e Serbisë në vend. Thirrja drejtuar serbëve përmes një pike të deklaratës, që të pranojnë planin e Ahtisaarit, ka bërë që Vetëvendosje të abstenojë, pasi e konsideron të dëshmshëm për Kosovën këtë plan. Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi referendumin në veri e ka quajur ilegal dhe pa efekte juridike.
"Një referendum i tillë nuk ka efekte juridike. Në anën tjetër është ilegal, ngase është organizuar nga njerëz që nuk kanë kompetenca të tilla. Është një orvatje e Qeverisë së Serbisë që të bëjë një lojë me atë pjesë të territorit tonë. Po ashtu, do të thosha një orvatje e disa serbëve që identifikohen me strukturat ilegale të fitojnë legjitimitet demokratik apo ta përdorin si mjet politik në të ardhmen. Por jemi të bindur se ashtu siç është mbajtur shpejt edhe do të harrohet shpejt"- tha Kuçi.
Referendumi në veri është organizuar nga strukturat paralele serbe në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe në veri të qytetit të Mitrovicës të dominuar nga serbët. Në fletëvotimet e përgatitura krahas gjuhës serbe edhe në gjuhën shqipe rreth 35 mijë qytetarët serb që besohet se jetojnë në veri janë ftuar të deklarohen nëse "i pranojnë apo jo institucionet e Republikës së Kosovës".
Në ditën e parë votuan rreth 48 përqind e votuesve. Rezultati i referendumit lehtësisht i parashikueshëm frikëson më tepër Beogradin se sa Prishtinën. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është tani një nga parakushtet që Evropa i ka vendosur Serbisë në këmbim të statusit të vendit kandidat. Presidenti serb Boris Tadiq tha se referendumi "i dëmton interesat e shtetit serb".
Referendumin e serbëve e kanë dënuar dhe autoritetet ndërkombëtare. Raportuesja e posaçme e Parlamentit të Evropës për Kosovën, Ulrike Lunacek e cilësoi si "provokim kundërproduktiv i cili "do të dëmtojë rëndë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nxit forcat nacionaliste".
Albanian Screen
Add new comment