Geithner: Europa ka ulur rreziqet për një katastrofë ekonomike

Europa ka arritur të ulë rreziqet për një katastrofë të vërtetë ekonomike. Megjithatë, në fjalën e tij në takimin e G20-ës në Meksikë, Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner tha se Europa kishte nevojë për një mbrojtje më të madhe në mënyrë që të ndalej përhapja e krizës së borxheve.
"Europa ka vepruar për të ulur rrezikun e një krize shumë të rëndë dhe edhe me një rritje ekonomike tejet të dobët, ne po shohim shenja elasticiteti në shumë ekonomi në zhvillim. Ne jemi të inkurajuar nga progresi që ata kanë bërë muajt e fundit. Një zgjidhje afatgjatë kërkon reforma e po ashtu edhe një fond të madh shpëtimi për t'i mbështetur ato. Politikbërësit në Europë e dinë se sa të mëdha janë sfidat me të cilat përballen dhe në javët në vijim do të rishikojnë mundësinë e hapave të mëtejshëm",-tha ai.
Deklaratat e Geithner vijnë në një kohë që 20 ekonomitë më të fuqishme të botës, u thanë liderëve europianë se duhet të gjejnë para shtesë për të luftuar krizën e borxheve, nëse mendojnë të marrin më shumë ndihmë nga FMN. Kjo lëvizje në fakt rrit presionin mbi vendet më të fuqishme, sidomos Gjermaninë. Ekonomia më e madhe në zonë, deri tani ka rezistuar ndaj thirrjeve për rritjen e paketës së shpëtimit dhe ka dërguar sinjale të ndryshme në lidhje me qëndrimin e saj.
Deri në fund të prillit, G20 kërkon të gjejë burime në vlerë 2 trilionë dollarë, përfshi këtu edhe fondet aktuale. Fondi aktual i BE-së është 500 mld euro dhe mendohet se do të rritet në 750 mld. FMN thotë se kjo do të ndihmonte që ekonomia botërore të mos përjetonte krizën e vitit 2008.
Albanian Screen
Add new comment