'Krishti u ngjall!' Sivjet Pashkë më 'modeste' në Greqi

Mijëra besimtarë nxituan mbrëmë para mesnatës në kishat e Greqisë për të marrë dritë dhe për të dëgjuar lajmin e mirë të Ngjalljes së Krishtit. Ata dëgjuan në heshtje "Krishti u Ngjall" dhe me qirinj në duar morën Dritën e Shenjtë, dhanë puthjen e Dashurisë dhe e çuan këtë dritë në shtëpitë e tyre.
Drita e shenjtë mbërriti nga Kisha e Jerusalemit, në Athinë, me një avion qeveritar, mbrëmë pak pas orës 20 00 dhe u shpërnda më pas në gjithë kishat e vendit.
Fishkezjarret pas mesnate e zbukuruan dhe e ndezën më shumë atmosferën e ringjalljes së Krishtit.
Festa e Pashkëve gjithmonë është kremtuar me madhështi në Greqi, por këtë vit për shkak të krizës ekonomike edhe ajo ka njohur ndryshime në mënyrën luksoze të festimit.
“Grekët janë të detyruar t’i kalojnë Pashkët si më modestet e dekadës së fundit për shkak të krizës dhe dobësimit të të ardhurave”, deklaron Konfederata Kombëtare e Tregtisë greke, në një komunikatë.
Kjo situatë pasqyrohet me një rënie prej 15% të shitjeve në bizneseve të tregtisë me pakicë dhe 10% të shitjeve në tregtinë ushqimore dhe pijeve. Dyqanet e veshjeve dhe këpucëve, vecanërisht për fëmijët tregojnë një ulje të shitjeve me 18-21%, ndërsa dyqanet për dekorimin e Pashkëve regjistrojnë ulje nga 12-15%.
Kriza ekonomike dhe rritja e çmimit të biletave kanë ndikuar edhe në uljen deri në 40% të lëvizjes së udhëtarëve me anije, me rastin e festës së Pashkëve. Sipas shifrave zyrtare, udhëtimet e anijeve ishin sivjet shumë më të ulëta sesa vitin e kaluar. Për shkak të rritjes së kostove, sipas policisë rrugore, edhe lëvizja përmes autostradës për destinacione të largëta, është reduktuar këtë vit në 46%, krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht për shkak të çmimit në rritje të benzinës.
Ballkanweb.com
Add new comment