Ksera: Niveli i papunësisë 13.26%. Paga minimale do rishikohet

Në ambientet e Panirit të Punës u organizua Konferenca "Horizonte Punësimi dhe Formimi", ku ishin të pranishëm ministri i Punës Spiro Ksera, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Jorida Tabaku, Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, etj.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, ministri Ksera bëri të ditur se niveli i papunësisë në vend është 13.26%. Sipas ministrit të Punës, papunësia mbetet problem kryesisht për të rinjtë.
“Shqipëria është nga të paktat shtete të rajonit që kemi një ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit. Do doja t’i bëja nja thirrje të gjithë aktorëve që operojnë në tregun e punës, por edhe kompanive private që ndërmjetësojnë për hapjen e vendeve të reja të punës, të kemi një bashkëpunim sa më të ngushtë sepse punësimi është një çështje shumë e ndjeshme.”- deklaroi Ksera.
Sipas Kserës, "për të luftuar papunësinë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë iniciativash, siç është edhe ky panair pune, që po zhvillohet këto ditë apo marrëveshja me Qeverinë Italiane për të punësuar në shtetin fqinj rreth 250 shtetas shqiptarë.
Gjithashtu, Ksera bëri të ditur se do punohet edhe për rritjen e nivelit të rrogës minimale. "Meqenëse jemi në një ditë të shënuar, siç është 1 maji, ju siguroj se do të merren masa edhe për rritjen e pagës minimale, për të cilën do të diskutohet në mënyrë të veçantë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës", tha ai.
Ndërsa Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës, i bëri apel të rinjve, të cilët mbarojnë ciklin e ulët arsimor të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e tyre sa i takon arsimit profesional apo të përgjithshëm.
"Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka punuar me intensitet të plotë për të krijuar kushte dhe mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e arsimit profesional, prandaj ftoj gjithë të rinjtë që përfundojnë ciklin 9-vjeçar të shohin me sy tjetër arsimin profesional", tha Malaj.
Sipas saj, "bashkëpunimi mes qeverisë dhe shoqërisë civile, me synimin për të orientuar fëmijë dhe të rinjtë drejt një arsimi të shëndetshëm dhe profesional, është bazë për t’i ofruar vendit tonë një të ardhme europiane".
Zv/ministrja e Arsimit nënvizoi se MASH po punon intensivisht dhe është gjithnjë e gatshme për të mbështetur të rinjtë dhe fëmijët, që të arsimohen sa më profesionalisht dhe të përballen denjësisht në tregun e punës.
Panairi i Punës "Horizonte punësimi dhe formimi", që u çel dje pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, pritet të ofrojë më shumë se 1 mijë vende pune.
Panairi organizohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe të Ministrisë së Arsimit, në kuadër të Programit të Qeverisë për Strategjinë e Punësimit dhe Formimit Profesional dhe Strategjisë Evropiane të Punësimit.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorët deri në 2 maj.
Ballkanweb.com
Add new comment