Greqi, shumë pikëpyetje pak ditë para zgjedhjeve

Në ditët e fundit para zgjedhjeve aq të rëndësishme të 6 Majit në Greqi, në fokusin e polemikave politike është çështja e aleancave pas zgjedhjeve, që pritet të jetë kryesore edhe në mbrëmjen e datës 6 maj.
Sondazhet konfirmojnë se as Demokracia e Re dhe as PASOK-u nuk do të arrijnë të marrin një shumicë të votave në zgjedhjet e së dielës. Të dyja partitë janë të shqetësuara lidhur me aftësinë e tyre për të formuar një qeveri, që të mbajë Athinën në zonën e euros dhe larg nga falimentimi.
“Përsëritja e zgjedhjeve do të rrezikonte progresin e vendit”, deklaroi kryetari i PASOK-ut, duke theksuar nevojën e formimit të një qeverie pas zgjedhjeve, që të përbëhet nga të gjithë forcat pro-europiane. Venizelos vlerësoi se ditën pas zgjedhjeve ka mundësi të ketë një qeveri bashkëpunimi PASOK-Demokracia e Re, dhe theksoi se partia e tij, por edhe ai vetë nuk interesohen të jenë ata në qeveri.
Nga ana e tij kryetari i Demokracisë së Re tha se “zgjedhjet do të japin rezultatin që dëshiron populli grek, domethënë një qeveri të fuqishme, që të qeverisë vendin në këtë situatë të vështirë”. Samaras deklaroi se “më 6 maj do të përmbysim politikën katastrofale që na solli deri këtu. Me planin tonë duam të ndryshojmë gjithçka, por para se t’i ndryshojmë, duhet që Greqia të qëndrojë mbi këmbët e veta”. Ai sulmoi ashpër PASOK-un, SYRIZA-n dhe partinë e Grekëve të Pavarur, duke i akuzuar se po bëjnë gjithçka me qëllim që ND të mos marrë mandat të fuqishëm.
Duke patur parasysh partinë e ekstremit të djathtë Chrysi Avgi (Agimi i Artë), Samaras iu referua dhe “një patriotizmi kallp që duan të shesin disa, që arritën të nderojnë si nazistët”. “Ata që mbajnë simbole naziste dhe admirojnë nazizmin e Hitlerin, nuk kanë asnjë lidhje me ne, nuk janë patriotë, janë armiq të atdheut”, theksoi Samaras. Edhe kryetari i PASOK Evangelos Venizelos ka shprehur shqetësim për rritjen e mbështetjes për ekstremin e djathtë në zgjedhjet e 6 majit. Ai ka deklaruar se “nuk duhet të lejohen neonazistët që të hyjnë në Parlament me përshëndetjen naziste”.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment