"Henri VI" gati për Londër, duartrokitjet e para nesër në TK

Mbrëmjen e nesërme do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar një nga premierat më të rëndësishme "Henri i VI", për faktin se shfaqja do të udhëtojë drejt Londrës për të folur shqip në Festivalin Botëror të Shekspirit.
Por, përpara se trupa e aktorëve të TK-së, nën regjinë e Adonis Filipit, të interpretojë veprën e Shekspirit në shtëpinë e tij, në teatrin “Globus”, duartrokitjet e para do t’i marrë nga publiku shqiptar në datat 4, 5 dhe 6 maj.
Gjatë konferencës për shtyp në Teatin Kombëtar, drejtori i këtij institucioni, Kristaq Skrami, i cili është edhe pjesë e shfaqjes “Henri Vi”, tha se pjesëmarrja në Festivalin Botëror të Shekspirit është një eveniment i rëndësishëm kulturor kombëtar. I gjithë globi do të flasë me gjuhën e Shekspirit, pasi janë 37 vende të botës që do të jenë pjesëmarrëse në këtë festival. "Është një spektakël dinjitoz nga të gjithë komponentët e tij. Ne do të kemi një prezantim dinjitoz përpara spektatorëve tanë dhe në teatrin “Globus", tha Skrami.
Aktorët që do të përjetojnë emocionet e interpretimit në teatrin historik të Shekspirit, duke interpretuar një nga kryeveprat e tij do të jenë: Bujar Asqeriu, Yllka Mujo, Ahmet Pasha, Vasjan Lami, Fatos Sela, Mehdi Malka, Arben Derhemi, Sokol Angjeli, Gjergj Mena, etj. Rolin e Henrit të VI-të do ta interpretojë aktori Indrit Çobani, ndërsa atë të Mbretëreshës Margaret Mira Hysaj
Pjesa e dytë e trilogjisë së Shekspirit, “Henri i VI”, i është besuar regjisorit Adonis Filipi, i cili e cilësoi si një privilegj pjesëmarrjen në një festival ku do të interpretojnë 37 trupa të ndryshme. “Ne jemi përpjekur të bëjmë të mirën. Vepra “Henri VI” është e ndërtuar mbi një shtrat klasik me elementë bashkëkohorë. E rëndësishme është se kjo vepër është premierë në këtë festival, ndërsa janë 67 personazhe dhe ne jemi 23 aktorë. Shfaqja është mbështetur në traditën e teatrit shqiptar, si në interpretim, etj, por mendoj se çdo vepër artistike është sfidë”, tha regjisori Filipi.
Pas premierën në TK shfaqja që do të luhet skenën e teatrit “Globus” në 12 dhe 14 maj, në kuadër të Lojrave Olimpike në Londër 2012. Teatri Kombëtar Shqiptar do të jetë pjesë e trilogjisë së Shekspirit “Henri i VI”, e konsideruar për kontekstin e saj si triologjia ballkanike, ndaj për këtë arsye ajo i është besur nga Globe Theatre tre trupave ballkanike, Teatrit Kombëtar të Beogradit, për pjesën e parë, Teatrit Kombëtar të Tiranës për të dytën dhe Teatrit Kombëtar të Manastirit(Maqedoni) për pjesën e tretë.
Kostumografia e dramës këtë herë i është besuar Anila Zajmit, skenografia Genc Shkodranit dhe muzika Fatos Qerimajt, i cili do të interpretojë "live" në skenë.
Pjesa e dytë e triologjisë nis me martesën e Mbretit Henri VI me princeshën Margaret të Anzhusë. Henri VI është shumë i ri në moshë dhe shumëkush në oborr mundohet ta joshë për të qënë sa më pranë kurorës. William de la Poli, Konti i Safolkut, synon të ndikojë tek mbreti nëpërmjet mbretëreshës së re.
Festivali Botëror i Teatrit do të zhvillohet në 23 prill deri në 6 qershor, ku për 6 javë do të performohet e gjithë e kolana e veprave të Shekspirit nga trupat teatrore të SHBA-së, Italisë, Rusisë, Francës, Gjermanisë, Japoni, Kina, etj.
Ballkanweb.com
Add new comment