Ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze, nis misioni i fundit

Ditet e fundit ka nisur në Durrës veprimtaria e misionit arkeologjik shqiptaro-francez, i cili për të dhjetin vit radhazi do të punojë për kompletimin e studimeve mbi zbulimet e vitit 1970-1971 në kodrën e Dautes, në perëndim të qytetit antik. Prof. Fatos Tartari, bashkëdrejtor i këtij misioni, tha për "Gazetën e Durrësit" se ekipi me 10 specialistë shqiptarë dhe francezë të fushave të ndryshme do të ndalet kryesisht në përfundimet mbi hyjneshën Artemisë, e cila është identifikuar në më shumë se 1.8 ton materiale qeramike të zbuluara 40 vjet më parë nga arkeologu Vangjel Toçi.
Në koleksionin e pafund me figurina balte, Artemisa nuk është vetëm perëndesha e gjuetisë apo pjellorisë siç njihej rëndom në botën antike, tha më tej prof. Tartari. Në Durrësin e shekujve 6-2 para Krishtit, Artemisa adhurohej kryesisht nga gratë dhe vajzat, të cilat shihnin te hyjnesha shumëçka lidhej me aspektet e jetës femërore në përgjithësi.
- Ky eshte misioni i fundit dhe do te vazhdoje deri me 28 maj -
"2400 vjet më parë Artemisa padyshim ishte hyjnia kryesore e qytetit antik", shprehet prof. Fatos Tartari, sipas të cilit, zbulimet dhe studimi i plotë i materialit gjatë misioneve të përbashkëta po hedh dritë edhe për rishikimin e topografisë së zonës. "Të dhënat e historianit antik Apiani te vepra "Lufta civile" dëshmojnë për "tempullin e Artemisit në Durrës që ndodhet pranë njërës prej portave hyrëse nw veri të qytetit" rreth 2000 vjet më parë", thotë Tartari, i bindur se thellimi i studimeve do të çojë me siguri në zbulime të reja në Durrës.
"Ne besojmë se gjetjet në Daute, 1 km larg qendres se qytetit bregdetar, që mbështetet në anën lindore të kodrës së Currilave, i përkasin një furre prodhimi që ndodhej pranë tempullit të Artemisës, ndaj mbetet të shpresojmë se edhe Porta hyrëse e qytetit për të cilën shkruan Apiani, duhet të ndodhet në afërsi të rrugës së sotme "Aleksandër Goga", thote ai.
Prof. Tartari, arkeolog me përvojë, thekson se në këtë zonë herë pas here zbulohen fragmente muresh antike. Përgjatë një muaji emra të njohur si, prof. Frederik Stamati, fotografi Zhylber Neiskens, numizmatja prof. Shpresa Gjongecaj, si dhe restauratorë e skicografë, që drejtohen nga prof. Tartari, në bashkëpunim me drejtorin shkencor të Shkollës franceze të Athinës, prof. Artur Muller, do të vazhdojnë gjithashtu sistemimin e mbi 3 ton materialeve të tjera qeramike, si dhe të monedhave e fragmenteve të tjera arkitektonike të zbuluara në Kodrën e Dautes në fillim të viteve 1970.
"Ne tetor te ketij viti me Shkolles franceze te Athines dhe te universitetit "Sharl de Gol" te Liles ne do të publikojmë në një korpus të shkruar përfundimet e këtij misioni tepër të rëndësishëm për këtë periudhë të jetës social-ekonomike të qytetit në antikitet", tha prof. Tartari.
Ky mision në vitin 2005 është nderuar me çmimin e parë ndërkombëtar "Clio" për studimet arkeologjike jashtë Francës.
Ballkanweb.com
Add new comment