Greqi, fillim i keq për qeverinë, kërkohet ministër Financash

Postuar në 26 Qershor, 2012 04:31

Edhe më optimisti në Greqi nuk shpresonte se fillimi i rrugës së qeverisë së re do të ishte rozë, por shumë pak ishin ata të cilët parashikuan që problemet akute dhe vështirësitë do të lindnin para se qeveria të fillonte nga puna. 

Aventura me shëndetin e kryeministrit, që e nxjerr atë pothuajse jashtë lojës ndërkombëtare në një fazë kur kriza e borxhit thellohet në Evropë, por dhe dorëheqja e papritur e Vasilis Rapanos nga posti i tij si ministër i financave, kanë krijuar një klimë mosbesimi dhe ankthi, në lidhje me gatishmërinë dhe aftësinë e qeverisë greke, për të trajtuar një pikë kthese. 

Nga ana tjetër, fakti që BE ndërhyri për t’iu nxjerrë në pah të diplomatëve grekë se në samit duhet të shkonte Presidenti i Republikës dhe jo ministri i jashtëm, ilustron konfuzionin që ekziston në Athinë. 

Brenda kësaj klime sot do të ketë përpjekje konkrete për të mbushur boshllëkun e krijuar nga zoti Rapanos, në postin e ministrit të Financave që është aq i domosdoshëm. Kryeministri pati një takim dje në mbrëmje në shtëpi me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, dhe sot do të takohet me Evangelos Venizelos dhe Fotis Kouvelis, që të arrijnë të vendosin një person të ri për këtë pozitë kritike. 

Në tryezë është hedhur emri i Jani Stournaras, ish ministër i Zhvillimit në qeverinë Pikramenos, por edhe emri i ish-kryeministrit të qeverisë së përkohshme Lukas Papadhimos. Eshtë dëgjuar edhe emri i ministrit aktual të Zhvillimit Kostis Haxhidakis, i cili nëse bëhet realitet do të sillte ndryshime në skemën e qeverisë dhe do të linte bosh postin e tij, duke nxitur kërkime për një ministër të ri Zhvillimi. Për të njëjtin pozicion përflitet edhe emri i ish-presidentit të Ethniki Bank, Takis Arapoglu, por edhe ai i Janis Moumouris, ish zëvendësministrit të Financave në qeverinë Papadhimos. Hapur është mundësia që të mbetet në pozicionin e tij aktual si ministër i financave, Jorgos Zanias. 

Zëdhënësi i qeverisë Simos Kedikoglou njoftoi se brenda ditës do të shpallet emri i Ministrit të Financave. Sipas zëdhënësit, për shkak të problemeve me shëndetin e kryeministrit Samaras, diskutimi i deklaratave programatike do të fillojë të hënën. Simos Kedikoglou tha se kur Kryeministri shërohet nga operacioni, do të fillojë një cikël të kontakteve me liderët evropiane. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.