Meksikë, Pena Nieto fiton zgjedhjet presidenciale

Postuar në 02 Korrik, 2012 05:13

 

Partia Revolucionare Institucionale e Meksikës rikthehet në pushtet pas 12 vjetësh, pasi kandidati i tyre në zgjedhjet presidenciale ka arritur të fitojë mjaftueshëm vota për t'u zgjedhur në këtë detyrë. Të dhënat nga Komiteti Elektoral tregojnë se Enrique Pena Nieto do të jetë presidenti i ri i vendit, me 38 për qind të votave, apo disa pikë përpara rivalit të tij Andres Manuel Lopez Obrador, i cili nuk është dorëzuar, duke pritur rezultatet përfundimtare. Zgjedhjet presidenciale në Meksikë, ku 80 milionë njerëz u thirrën për të votuar janë shoqëruar me masa të forta sigurie, për shkak të druajtjes se bandat e drogës mund të përfshiheshin në incidente të dhunshme.  Mijëra forca policie u angazhuan në ruajtjen e qendrave të votimit, ndërsa meksikanët votuan edhe për kongresin si dhe për governatorët e disa shteteve. Gjithsesi, duket se votimi ka qenë më së shumti paqësor dhe rezultatet e pjesshme nga autoritetet lokale, konfirmuan se Pena ka arritur fitore. Pasi presidenti në detyrë, Felipe Kalderon mbajti fjalimin tradicional ku pranoi se Pena Nieto është presidenti i ri i vendit, ky i fundit iu drejtua mbështetësve të vet. Në fjalimin e tij, presidenti i zgjedhur foli për pajtim dhe për qeveri të të gjithë meksikanëve.  Partia e Pena Nietos shpeshherë është akuzuar për korrupsion dhe lidhje me aktivitetet kriminale të narkotrafikut. Kjo parti rikthehet në pushtet pas një mungesë të gjatë, ndërsa më herët e kishte qeverisur Meksikën për 70 vjet.  Presidenti i ri nga radhët e saj, premtoi se nuk do ketë pakt me krimin e organizuar. Pena Nieto shihet si fytyra e re e partisë, që do të thyejë lidhjet e vjetra me bandat e drogës.  Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.