Mjekët në protestë: Na dhunojnë familjarët e pacientëve

Personeli mjekësor në spitalin rajonal të Kukësit ka zhvilluar një protestë një orëshe kundër dhunës sistematike që ushtrohet ndaj mjekëve nga pacientët apo të afërmit e tyre. Rasti i fundit ka qenë dhunimi fizik i mjekut roje Mustaf Mustafa, i cili akuzon policinë se nuk ka ndërhyrë për parandalimin e përplasjes fizike dhe për ndalimin e agresorit.
"Kulmi i kësaj pune është kur ne lajmërojmë organet e degës së Brendshme dhe vijmë këtu dhe i tregojmë këto raste skandaloze që preket personeli në krye të detyrës, që është një skandal, pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye, dega e brendshme i fsheh dhe i përze duke na thënë ne se ikën vetë", rrëfen Mustaf Mustafa, mjek kirurg.
Në mbështetje të Mustafës kanë dalë të gjithë mjekët e spitalit rajonal të Kukësit të cilët kërkojnë rritjen e masave të sigurisë në të kundërt do të ndërpresin shërbimin spitalor.
"Sot është dita e parë për të informuar, që punonjësit e shëndetësisë të kryejnë detyrën tamam, të qetë dhe pa kërcënime nga një kontigjent i caktuar i popullatës që janë të papërgjegjshëm", thotë një koleg i Mustafës.
"Unë do të kërkoja që ne të na lënë të punojmë të qetë, të merremi me të sëmurin dhe jo me të shëndoshin, të vendosen rregulla, policia të bëjë punën e vet dhe ne punën tonë", thotë një tjetër mjeke.
"Jemi shumë të indinjuar. Në urgjencë paraqiten jashtëzakonisht njerëz të pafytyrë. Ofendojnë në mënyrë të hapur publike personelin që punon aty", shprehet një mjek.
Edhe drejtoria e shëndetit publik është në mbështetje të mjekëve dhe konfirmon rastin e dhunës së përsëritur. "Ne si institucion kemi njoftuar drejtorinë e policisë së Kukësit pasi është e disa herë që ndodhin ngjarje të tilla dhe nuk kemi pasur ndonjë rezultat nga ana e policisë. Në rast se nuk reagohet, do të zgjaten protestat", thotë Lume Elezi, nën drejtoresha e Shëndetit Publik.
Në spitalin rajonal të qytetit të Kukësit dhuna që ushtrohet ndaj infermierëve, mjekëve apo punonjësve të tjerë është bërë një fenomen i rëndomtë pasi kushtet e sigurisë në të nuk janë në nivelin e duhur. Mjekët kanë vendor që të njoftojnë edhe ministrinë e Shëndetësisë për të influencuar tek institucionet e tjera për zgjidhjen e problemit të tyre.
Albanian Screen
Add new comment