Efekti i krizës në ndërtim, emigrantët nuk blejnë më shtëpi

Emigrantët që kthehen në atdhe janë më pak të interesuar për të blerë apratamente të reja, krahasuar me viite më parë. Këtë e pohon në intervistë për AS Ilir Hebovija, nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve, i cili shpjegon se kjo situatë është ndikuar nga kriza ekonomike.
"Gushti dhe Janari që më përpara ishin muajt kur fluksi i kërkesave ishte shumë i lartë tashmë nuk është më. Kjo për shkak se emigrantët nuk kanë më atë interes apo fuqi për të blerë apartamente. Fuqia e tyre ekonomike tashmë nuk është më aq e madhe sa më përpara. Ka dhe një shkak tjetër, kriza ekonomike, për shkak të së cilës duan të ruajnë likuiditetin për të parë si do të shkojë situata në vendet ku punojnë dhe pastaj të vendosin nëse do të investojnë apo jo"- thotë Hebovija.
Emigrantët preferojnë të ruajnë kursimet dhe mos t'i investojnë në blerje të pasurive të paluajtshme dhe në shumë raste zgjedhin të marrin shtëpi me qera.
"Një pjesë e këtij target grupi i kanë pasur banesat në Shqipëri. Pjesa tjetër e cila ka humbur punën në vendet ku ato janë nuk mund të pretendohet që të kenë mundësi për të ardhur dhe për të blerë një banesë në Shqipëri sepse ata presin që të sistemohen, të fillojnë një punë apo një aktivitet ekonomik dhe pastaj të mendojnë për shtëpinë. Si rrjedhojë, tregu që ka më shumë punë në këtë periudhë është tregu i qerave"- thotë Hebovija.
Ndërtuesit presin që një hov në zhvillimin e këtij sektori në kryeqytet të japin ndërhyrjet e Bashkisë së Tiranës për miratimin e planit rregullues të qytetit, i cili do të shtojë investimet. Nga ana tjetër ndërtuesit kanë ulur çmimin me 10- 20 për qind nga qendra në periferi, për të nxitur shitjet. Çmimi për metër katror varion nga 450- 2000 euro.
Albanian Screen
Add new comment