Ndryshon politika, qeveria franceze zotohet të ndihmojë romët

Qeveria franceze ka në plan të ndihmojë emigrantët romë për të gjetur punë, pa pritur që BE të heqë vitin që vjen kufizimet për punësim për këta njerëz që vijnë nga Rumania e Bullgaria. Vendimi i Parisit vjen pas një sërë spastrimesh të kampeve të paligjshme të romëve që kanë krijuar pakënaqësi te mbështetësit e qeverisë socialiste.
Ministri i Brendshëm, Manuel Valls i cili urdhëroi operacionet në fjalë, tha se kërkonte një politikë të qartë, humane dhe të arsyeshme për këtë çështje. Ai ishte një nga ministrat që u takua me përfaqësues të komunitetit rom në Paris.
Ndryshimi i politikës së qeverisë, që u bë pas takimit, lista e vendeve të punës e hapur për komunitetin rom do të zgjerohet. Do të ketë po ashtu edhe përmirësime sa i takon strehimit të tyre. "Romët janë qytetarë europiaë që dëshirojnë të punojnë, janë njerëz të thjeshtë që kërkojnë një punë, shtëpi, njerëz që kërkojnë dinjitetnin e tyre",-tha Malik Salemkour, përfaqësues i grupit të Romëve.
Ai shtoi se romët nuk përbëjnë një problem. Ata nuk kanë kërkesa të veçanta, por duan vetëm të jetojnë një jetë plot dinjitet, të kenë kushte normale jetese në tokën franceze. "20 mijë persona nuk është një numër i madh, ndaj gjetja e një zgjidhjeje është e mundur",-tha Malik. Opozita e qendrës së djathtë e cila pati një politikë më të ashpër thotë se kjo nuk do të funksionojë.
"Kur vendi ynë ka një papunësi prej 10 për qind, është iluzion t'u japësh këtyre njerëzve shpresë, të cilëve shpesh u mungon trajnimi që duhet për të punuar në vendin tonë",-tha Eric Ciotti, deputet. Dy javë më parë, rreth 300 emigrantë romë u dëbuan nga vendbanimet e paligjshme e pjesa më e madhe e tyre u deportua drejt Rumanisë.
Albanian Screen
Add new comment