Spanjë, tubim masiv kundër masave anti-krizë

Dhjetëra mijëra persona janë mbledhur në kryeqytetin spanjoll, Madrid, për të protestuar kundër shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave në vend.
Punëtorë të sektorit publik nga i gjithë vendi janë mbledhur në sheshin e njohur Plaza de Colon, duke bllokuar rrugët kryesore. Protestuesit thonë se shkurtimet po prekin kryesisht klasën e mesme dhe atë të ulët dhe po kursejnë të pasurit. Qeveria nga ana e saj thotë se masat anti-krizë duhet të implementohen për të futur vendin në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike. Shumë nga protestuesit, përfshirë këtu mësues, infermiere dhe zjarrfikës, janë mbledhur në Madrid pas thirrjes së sindikatave dhe grupeve të tjera që organizuan manifestimin. Turmat kanë klithur parulla anti-qeveritare, kanë vërshëllyer dhe kanë mbajtur pankarta me fjalën “Mjaft!” dhe “Po fundoset vendi!”. “Nuk ka departamente të punës time që nuk janë prekur nga shkurtimet”, ka thënë një doktor 52-vjeçar nga Valencia, që është identifikuar vetëm me emrin Jorge. “Ka një rënie drastike në cilësinë e shërbimeve për pacientët. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Doktori ka shtuar se vetëm rroga e tij është reduktuar me 30 për qind për shkak të masave anti-krizë.
top-channel.tv
Add new comment