Kufiri detar, Greqia gati ta çojë në OKB

Fqinjët jugorë kanë mosmarrëveshje edhe me Turqinë dhe Libinë për ndarjen e zonës ekskluzive ekonomike
Qeveria greke po analizon në mënyrë serioze mundësinë për të deklaruar brenda muajve të parë të këtij viti pranë Kombeve të Bashkuara, koordinatat e saj gjeografike për sa i përket Zonës Ekskluzive Ekonomike greke, ose e thënë ndryshe kufijtë detarë të saj.
Lajmin e publikon gazeta “To Vima”, sipas së cilës kryeministri Samaras e ka mbështetur një veprim të tillë, pas bisedimeve të njëpasnjëshme me partnerët e tij politikë në qeveri në muajt e fundit. Madje në tryezën e këtyre bisedimeve për këtë çështje që Athina e konsideron tepër të rëndësishme dhe jetike është hedhur edhe ideja e shpalljes në mënyrë të njëanshme të koordinatave të shelfit kontinental grek.
Por është konkluduar se ky veprim nuk do të fitojë aktualisht terren, pasi mund të shkaktojë episod të nxehtë me Turqinë, duke shkatërruar arritjet e deritanishme për këtë çështje, si dhe të sjellë reagime të mëdha nga vendet e tjera fqinje, që janë kundër shpalljes në mënyrë të njëanshme të këtyre koordinatave.
Në nxitimin e Athinës, rol shumë të madh kanë luajtur edhe zhvillimet e fundit pas kërkimeve në zonat e detit Jon, si dhe në jug të Kretës për burime nafte dhe gazi natyror. Raporte të ndryshme të kompanive ndërkombëtare të kërkimeve të rezervave natyrore në det parashikojnë se depozitat e naftës dhe të gazit natyror në këto zona, vlerësohen në shumën kolosale prej 1.3 trilionë eurosh për dekadën e ardhshme, e thënë ndryshe, gati katër herë më shumë se borxhi grek.
Çështjen e përcaktimit të kufijve detarë e ka marrë Departamenti Hidrografik i Marinës, i cili e ka përfunduar këtë proces dhe tashmë është në bisedime me drejtoritë përkatëse të Ministrisë së Jashtme në lidhje me trajtimin juridik të kësaj nisme dhe depozitimin e saj në Drejtorinë e Çështjeve Oqeanike dhe të së Drejtës Ndërkombëtare për Detin në OKB.
Siç dihet, Greqia ka nënshkruar një pakt me Shqipërinë në vitin 2009 për kufijtë detarë, i cili më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe ende nuk është proceduar në një nivel të ri bisedimesh. Nga ana tjetër, Athina ka shtatë vjet që po negocion me Egjiptin, pa arritur në një marrëveshje të saktë për kufijtë detarë, me Turqinë bisedimet gjithnjë janë të ndërvarura nga tensionet midis dy vendeve, ndërsa edhe negociatat me Libinë janë në një fazë tranzicioni për arsye të zhvillimeve politike në këtë vend.
Shqip
Add new comment