Dokumenti i CIA-s: Plani për zëvendësimin e Enver Hoxhës me të zgjedhurin e Titos

Raporti i CIA-s me të dhënat e Bllokut Indipendent Kombëtar.
“Abaz Kupi e Mit’hat Frashëri kanë hequr dorë nga çështja e Kosovës”
“Për të qenë të pranueshëm te Tito, kanë sakrifikuar pretendimet e shqiptarëve në trojet e tyre etnike”
Raporti i Zyrës së Operacioneve Speciale për dyshimet mbi bashkëpunimin anglo-jugosllav për Shqipërinë.
CIA: Përplasjet në mërgatën shqiptare.
Plani për zëvendësimin e Hoxhës me të zgjedhurin e Titos.
Dokumenti i sotëm i ardhur nga arkivat amerikane, është pjesë e dosjeve të deklasifikuara të operacioneve BGFIEND dhe sjell në vëmendjen e lexuesit disa çështje që kanë të bëjnë me prapaskenat e mërgatës shqiptare, e cila bashkëpunoi me Shërbimet Amerikane për rrëzimin e regjimit komunist të Tiranës. Qysh në krye të tij, bëhet me dije se mërgata politike, e vendosur në kampet e refugjateve në Itali, vazhdonte të ishte mjaft e fraksionuar, duke përcjellë frymën e ndarjes që i kishte karakterizuar gjatë jetës politike në Shqipëri. Dokumenti pasqyron mjaft qartë frymën e ndasive politike, ndasi të cilat krijojnë një frymë dyshimi dhe pasigurie jo vetëm te shqiptarët e arratisur, por edhe te rangjet e larta të Shërbimit të Fshehtë Amerikan. Sidoqoftë, dokumenti i Zyrës së Operacioneve Speciale, i regjistruar “TOP SEKRET”, zbulon edhe disa informacione me shumë vlerë për të gjykuar dhe analizuar një sërë lëvizjesh politike të lidershipit shqiptar në emigracion.
DYSHIMET E AMERIKANËVE PËR LIDERËT SHQIPTARË
Dokumenti i hartuar nga ndihmesdrejtori i OPC, është përmbledhje e një morie memorandumesh sekrete, të përpunuara nga Zyra e OPC dhe OSO në terren, të cilat kanë përcjellë në Uashington disa nga dyshimet e amerikanëve për lidershipin politik shqiptar, të cilët mund, sipas amerikanëve, të kenë vendosur kontakte me shërbimet e fshehta jugosllave. Nga ky dokument dhe ai që do të zbardhim në numrin e ardhshëm, zbulohen disa nga pikat me të rëndësishme të dyshimeve amerikane. Megjithatë, dokumenti i cili që në krye të tij nënvizon faktin se disa prej informacioneve që oficerët e shërbimeve amerikane merrnin në terren nuk ishin të sakta apo edhe false, duke ngritur kështu një pikëpyetje të madhe mbi qëllimet e vërteta të këtyre informacioneve që vinin nga fraksionet politike shqiptare.
Panorama
Add new comment