MASH nxjerr kriteret për bursat e Ekselencës, studentët që përfitojnë

Postuar në 06 Janar, 2013 14:04

 

Ministria e Arsimit përcakton rregullat për të përfituar bursa studimi nga Fondi i Ekselencës. Studentët dhe shkencëtarët e rinj, të shkëlqyer, mund të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës të akorduar nga Ministria e Arsimit bursa të posaçme për studimet e plota të doktoratës ose një pjesë të tyre, nëse ato kryhen jashtë shtetit në një nga 15 universitetet më të mira të botës në shkencat shoqërore; në një nga 50 universitetet më të mira të botës në shkencat e natyrës, si dhe bursa të posaçme për studime “Bachelor” ose “Master” në një nga 15 universitetet më të mira të botës sipas renditjes së përcaktuar nga Times Higher Education “Renditja Botërore e Universiteteve”, në vitin më të fundit. Sipas udhëzimit të firmosur së fundi nga ministri Tafaj, “Për përcaktimin e rregullave në zbatim të kritereve, masës së financimit dhe procedurave që ndiqen për përfitimin e Fondit të Ekselencës nga studentët dhe shkencëtarët e shkëlqyer” bursat për studimet e Doktoratës, Bachelor dhe Master jashtë vendit jepen kur studentët plotësojnë kriteret e caktuara. Për studimet e doktoratës në udhëzim përcaktohet se bursat jepen kur studentët: “Janë pranuar në një institucion të arsimit të lartë të huaj për studimet e doktoratës, sipas sistemit tradicional ose me bashkudhëheqje (“Sandwich” ose “Cotutelle”). Kanë arritur notë mesatare mbi 9, në shkencat natyrore, inxhinierike e shkenca të jetës, dhe mbi 9.5, në shkencat ekonomike e shoqërore për studimet e kryera brenda vendit; ose, përkatësisht, mbi 8 (e barasvlefsme me vlerësimin B në sistemin anglo-sakson), në shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës dhe mbi 8.5 (e barasvlefshme me vlerësimin B+ në sistemin anglo-sakson) në shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi; janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doktoratës, pa pagesë për tarifa studimesh (tuition fee) dhe nuk marrin pagë ose shpërblim për punën kërkimore apo mësimore që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës; kanë përgatitur një projekt për kërkim gjatë studimeve të doktoratës jashtë shtetit dhe të gjitha shpenzimet e projektit kërkimor janë marrë përsipër nga universiteti pritës; pranojnë të punojnë në Shqipëri, për së paku 3 vjet, pas përfundimit të studimeve të doktoratës jashtë shtetit. Nuk janë njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale dhe të familjarëve të tyre (prindërit, adoptuesit, bashkëshortët, fëmijët dhe i adoptuari deri në moshën tetëmbëdhjetë 18-vjeçare mbi 200 mijë lekë në muaj.” Bursa për studimet Bachelor dhe Master përfitojnë studentët që ndjekin jashtë vendit ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve universitare, nëse: janë pranuar në një nga 15 universitetet më të mira të botës sipas renditjes së përcaktuar nga Times Higher Education, në vitin më të fundit, për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit në matematikë, shkenca natyrore, të edukimit, teknike, teknologji, shkenca të jetës, artit dhe sportit; janë pranuar në një nga 15 universitetet më të mira të botës sipas renditjes së përcaktuar nga Times Higher Education, në vitin më të fundit, për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit në shkencat shoqërore dhe kanë përfituar një pjesë të financimit nga universiteti pritës. Studentët duhet të pranojnë të punojnë, së paku 3 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të ciklit përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën, ose pas përfundimit të të gjithë ciklit të studimeve, nëse kandidati përfitues vijon studimet në ciklet më të larta universitare. Edhe në këtë rast kërkohet që studentët të mos jenë njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale dhe të familjarëve të mbi 120.000 lekë në muaj. Mbështetja financiare në formën e bursës së posaçme, përfshin mbulimin e shpenzimeve të parashikuara dhe të detajuara nga universiteti pritës, ku studenti është pranuar, deri në masën e vlerësuar nga Komisioni i Përzgjedhjes, si dhe shpenzimet e udhëtimit, në masën 350 euro/Europë, 850 euro/ për vendet e tjera.

MAPO

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.