Ministri inspekton sallën e reanimacionit. Tavo: Do mbyllet

Mbyllet reanimacioni qendror në spitalin “Nënë Tereza”. Pas publikimit dy ditë më parë në gazetën “Panorama” të lajmit për kushtet skandaloze të këtij shërbimi, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë.
Kreu i këtij dikasteri, Vangjel Tavo, urdhëroi dje marrjen e masave për mbylljen e pavijonit. Kjo masë u ndërmor pas inspektimit që vetë ministri i Shëndetësisë bëri dje në këtë shërbim.
“Sipas urdhrit, brenda tre muajsh do të mbyllet reanimacioni polivalent, pasi nuk plotëson standardet e një shërbimi bashkëkohor. Gjithashtu, ministri ka urdhëruar rritjen e kapacitetit shfrytëzues të reanimacionit të ri në QSUT, shfrytëzimi maksimal i reanimacionit të Infektivit, reanimacionit apo terapisë intensive në Neurologji”, tha Pëllump Pipero, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai theksoi se do të gjendet një zgjidhje për pacientët që janë aktualisht të shtruar në këtë shërbim, duke i zhvendosur ata dalëngadalë prej aty. “Gjatë këtyre tre muajve nuk do të ketë shtrime të reja. Kjo nënkupton mbylljen e shërbimit në këtë hark kohor”, tha Pipero.
Në lidhje me mungesat e medikamenteve, ai shtoi se po merren masa që të gjitha shërbimet, veçanërisht reanimacioni, të furnizohet me alternativat bazë. “Konfirmoj se nuk ka asnjë mungesë në alternativa, jo në emra të përveçëm, po flas në alternativa, që gjithsesi, mbulojnë mjekimin e përditshëm të këtyre të sëmurëve. Edhe nëse ka ndonjë mangësi, u dha porosi që të merren të gjitha masat për të mos pasur asnjë mangësi në trajtimin bazë të të sëmurëve”, tha Pipero.
PANORAMA
Add new comment