Memli Krasniqi, i favorizuar për kryetar të PDK-së në Prishtinë

Prishtinë, 13 janar - Ministri aktual i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Memli Krasniqi, ka më shumë shanse që të jetë kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, kanë thënë burime të kësaj partie. Dega e PDK-së në Prishtinë pritet që të hënën të zgjedhë kryetarin e ri të saj. Të shtunën ajo e ka zgjedhur Kryesinë e saj.
Burime të Kohës Ditore brenda PDK-së kanë thënë se shumica e anëtarëve të Kryesisë së PDK-së në Degën e Prishtinës më shumë afërsi kanë me Krasniqin sesa me dy kandidatët e tjerë: Lirak Çelajn dhe Shemsi Veselin.
“Shumica e anëtarëve janë njerëz të Memli Krasniqit në kuptimin që votojnë për të dhe sigurt që ai edhe do të zgjidhet kryetar i PDK-së në Prishtinë”, kanë treguar ato.
Ndërkohë, koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, ka thënë se fillimi i javës së ardhshme do ta bëjë Degën e Prishtinës me kryetar të ri.
Në Prishtinë, Këshilli i Degës e ka zgjedhur Kryesinë prej 21 anëtarëve. Më së shumti vota për t’u zgjedhur anëtar i Kryesisë në Degën e Prishtinës ka marrë Fatmir Sopi, gjithsej 36. “Lirak Çelaj është i dyti me 33 vota. Pastaj është Vlora Çitaku dhe Memli Krasniqi. Blerand Stavileci ka marrë 31, Liridon Restelica 29, ndërkaq Genc Prelvukaj 26 vota”.
KOHA DITORE
Add new comment