Rama: Do pesëfishojmë financimet në bujqësi

Postuar në 13 Janar, 2013 10:33

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbajtur një konferencë për gazetarët dhe në fillim të fjalës së tij ka uruar të gjithë forcat e Policisë së Shtetit dhe ka shprehur mbështetjen për të gjithë punën policëve.  Ai ka shtuar gjatë fjalës së tij se, tre figurave të shoqërisë siç, që janë polici, mjeku dhe mësuesit t’i kthejë nderin dhe dinjitetin që kjo qeverisje i ka shkartuar 

Rama gjatë fjalë së tij ka treguar për një sondazh të kryer dhe ka thënë se përfundimet janë të frikshme për pasigurinë dhe frikën që kanë qytetarët. 

Kryesocialisti Rama gjithashtu bëri publike edhe disa të dhëna të një sondazhi të fundit bërë nga Partia Socialiste ku sipas tyre 72% e shqiptarëve thonë se gjendja e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend është shumë e keqe.

“Një vlerësim shumë të sinqertë dhe të posaçëm për të gjithë ata që nën uniformën blu, sakrifikojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira përmes pengesash, shpeshherë të pakapërcyeshme, që lidhen me korruptimin dramatik të drejtimit politik të Policisë së Shtetit, dhe që megjithatë i shërbejnë devotshmërisht shoqërisë”, tha Rama.

Në sondazhin e paraqitur nga kreu i PS-së, ai tha se lidhur me papunësinë rreth 51.4 për qind e të pyeturve e konsiderojnë situatën aktuale të papunësisë shumë të keqe dhe 22.7 për qind e cilësojnë të keqe. Janë 72 për qind e shqiptarëve që e konsiderojnë papunësinë si plagën e shoqërisë shqiptare. Por edhe korrupsioni, pjesa më e madhe e shqiptarëve e konsiderojnë shumë të keq dhe shumë të përhapur.

Sipas kryetarit të PS-së, situata ekonomike në vend sa vjen dhe përkeqësohet ndërsa vlerësoi si rrugëdalje nga kjo gjendje rindërtimin e modelit ekonomik.

“Ka një rrugë për të dalë nga kjo situatë e ardhur si rezultat i keqqeverisjes që e ka burimin tek një mandat i vjedhur dhe kjo është të rindërtohet modeli ekonomik, fokusimi te investimet ndërtuese dhe investimet prodhuese që sjellin punësim. Ndërkohë ne jemi të vendosur që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë të heqim taksën e biznesit të vogël dhe do të lehtësojmë frymëmarrjen për këto biznese dhe do të hapim një shteg që të tjerët të punësohen nëpërmjet biznesit të vogël. Gjithashtu është e nevojshme një politikë e re fiskale për të ulur kostot në bujqësi. Ne do pesëfishojmë financimin publik për bujqësinë si dhe  do të fokusohemi te formimi profesional”, tha Rama.

Rama ironizon programin e qeverisë

Rama ka ironizuar programin e ministrive të qeverisë, duke thënë se nuk kanë program ministritë por vetë ministrat. “Nuk ka asnjë referencë në programin e ministrave. Dhe asnjë ministri s’thotë që ky ka qenë plani ynë dhe ne kemi arritur këtë dhe atë. Sepse po të lexoni programin e partisë demokratike zgjidhni nëse do qani apo do qeshni sepse analiza vjetore e ministrave është shumë për të dëshiruar”, u shpreh kreu i PS-së.   Peticioni është firmosur nga intelektualë që punojnë në shtet

Lidhur me letrën e drejtuar ditën e djeshme nga disa intelektualë ku kërkuan që Rama të firmosë ai ka thënë se ata janë intelektualë të qeverisë dhe kjo s’ndodh në asnjë vend demokratik dhe ata intelektualë meritojnë përbuzje. Rama ka shtuar se edhe në sektorin e shëndetësisë po bëhet presion për të firmosur një peticion kundër opozitës që s’ndodh në asnjë vend demokratik dhe këta s’mund të quhen intelektualë sepse janë të politizuar. 

FMN dhe BB jep të njëjtat shifra si PS-ja 

Rama tha se shifrat e FMN-së e Banka Botërore vërtetoi shifrat që PS publikoi në lidhje me rritjen ekonomike. “PS deklaronte për një situatë të atillë ekonomike që mund të përfundojë me një rritje ekonomike nën 1%. Shifrat e FMN-së e BB-së u afrohen shifrave që ne i parashikojmë që në fillim të vitit”, - tha Rama.

 Ai ka thënë se, Bode është duke pranuar që rritja 1.5 % ai i afrohet realitet dhe besoj se në shkurt do shkojë tek 1%.

"Zyrtarisht borxhi është 61. 5 por po të shtojmë punët e papaguara dhe detyrimet që burojnë nga vendimet e gjykatave jemi mbi 100 %",- tha Rama. 

Kreu i PS-së i bëri thirrje kompanisë KURUM të mos privatizojë 4 HEC-et, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 , Ulëz e Shkopet, pasi me të ardhur në qeveri do e anulojë. “Ne do t’i zmbrapsim këto 4 HEC nga duart e privatit tek duart e shtetit. I përsëris kompanisë të mos i blejë këto 4 HEC. Ne do e zmbrapsim. Ne nuk do shesim 4 asete fitimprurëse ku janë investuar paratë e shqiptarëve të shitet. Nuk ka sens. Pse duhet ti kalojë privati. Pse ne duhet t’i shtrijmë dorën këtij privati për energjinë që duhet të furnizojmë publikun?”, theksoi Rama. 

Koalicionet, Rama: Nuk i kam bërë ftesë LSI dhe FRD

I pyetur në lidhje me koalicionet parazgjedhore, kryesocialisti Rama theksoi se nuk i ka bërë ftesë për koalicion as LSI-së dhe as FRD-së.

“Nuk kam bërë ftesë, i jam përgjigjur një pyetje, se cili është koncepti im çfarë duhet të ndodhi në këto 6 muaj, si duhet të pozicionohen ato që i thonë vetes opozitë. LSI duhet të zgjedhë nëse do të jetë patericë e pushtetit, apo të kthehet në identitet” shtoi Rama.

Ai garantoi se koalicioni do të jetë për dhe mbi programin për një Rilindje Shqiptare.

Sa i përket akuzave të kohëve të fundit ndaj bashkëshortes së tij, Rama tha se “autorët e këtyre shpifjeve nuk meritojnë përgjigje vetëm përbuzje. Opinioni publik meriton një përgjigje dhe do ta ketë” shtoi Rama. 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.