Gjanica përmbyt Fierin. Probleme edhe në Durrës, Lezhë e Shkodër. Masivi i dheut bllokon Tepelenë-Gjirokastër

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë krijuar mjaft probleme në disa zona të vendit. Dhjetëra hektarë tokë janë mbuluar nga ujë, ndërkohë që dhjetëra banesa dhe biznese rrezikojnë të përmbyten dhe banorët apelojnë për ndihmë nga drejtuesit vendorë.
Raportohet se katet e para të dhjetëra banesave janë përmbytur nga ujërat e lumit Gjanica në Fier. Ujërat e rrëmbyer vërshuan me furi pas reshjeve të natës së djeshme, duke marrë përpara gjithçka dhe duke krijuar një situatë të vështirë në qytet. Ndërkohë është kërkuar ndihma e policisë për evakuimin e nj familjeje, pasi pjesëtarët e saj kanë mbetur të izoluar në banesën e rrethuar nga uji. Shkak për daljen nga shtrati të lumit Gjanica përveç reshjeve është bërë dhe ngushtimi i shtratit të këtij lumi. Niveli i ujit që arrin 50 centimetër ka përmbytur sipërfaqet ku ndodhet dhe banesa dhe disa biznese. Situata në këtë zonë është konsideruara më e keqja e 20 viteve të fundit.
Durrës, uji depërton brenda klasave, mbyllen tri shkolla
Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në shumë zona të qarkut të Durrësit. Tre shkolla te qytetit të Durrësit nuk kanë mundur të zhvillojnë sot mësim për shkak të ujit që ka përmbytur oborret dhe depërtuar brenda klasave. Situata paraqitet tepër problematike në zonën e Shkozetit dhe në atë të Plazhit ku banorët kanë nisur të protestojnë ndaj autoriteteve dhe strukturave lokale. Në zonën e Plazhit, banorët kanë bllokuar me kazanët e mbetjeve urbane rrugën dytësore që lidh postën e plazhit me unazën, duke moslejuar asnjë automjet të kalojë nëpër të, ndërsa akuzojnë pushtetarët qendrorë dhe vendor që vetëm japin premtime elektorale, ndërsa nuk arrijnë dot as të zhbllokojnë dhe mirëmbajnë kanalet kulluese të cilat ndodhen jashtë funksionimit. Edhe në qytetin e Shijakut e gjithë lagjia “Erzen” është përmbytur pasi lumi me të njëjtin emër ka dalë nga shtrati dhe vërshuar në rrugët e qytetit, duke depërtuar deri në godinën e bashkisë, biznese dhe shtëpi. Në rrethin e Krujës afro 20 shtëpi ndodhen nën ujë, ndërsa dhjetëra hektarë tokë dhe banesa të tjera janë të izoluara plotësisht.
Lezhë e Shkodër, dhjetëra hektarë tokë në ujë
Probleme ka pasur edhe në Lezhë e Shkodër. Kështu në zonën e Lezhës, raportohet se është rritur niveli i lumit Drin, por edhe zona fushore është rënduar nga reshjet e shumta. Situata është më problematike në Tale, ndërsa në Shëngjin fal ndërhyrjes së komunës ka arritur ti rikthehet normalitetit. Situata më e rënduar është në Barbullonjë, Dajç, Blinisht e Zadrime. Ndërkaq në Shkodër raportohet se ka sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore të mbuluara nga uji, por nuk ka probleme në zona të banuara.
Masivi i dheut prej 300 metër kub bllokon aksin Tepelenë-Gjirokastër
Ndërkohë për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu është bllokuar edhe një pjesë e aksit rrugor Tepelenë-Gjirokastër.
Drejtoria e Rrugëve u ka bërë thirrje drejtueseve të mjeteve ta shmangin këtë aks rrugor, pasi një masiv dheu prej 300 m kub ka bllokuar rrugën dhe forcat e Shtabit të Emergjencës po punon për hapjen sa më shpejt të saj.
Uniformat blu kanë ngritur postbllokun e tyre në këtë aks rrugor, 10 kilometra të të cilit rezultojnë të jenë të pakalueshme.
Berat, bllokohet rruga nacionale Berat-Skrapar, përmbyten toka e shtëpi
Reshjet e rëna pa ndërprerje në 24 orët e fundit në të gjithë në Qarkut Berat kanë sjellë probleme serioze në të gjitha komunat dhe bashkitë e tij
Rrëshqitja e masiveve shkëmborë në anë të rrugës Berat-Skrapar ka sjellë bllokimin e saj në disa segmente, fat që kanë pasur edhe shumë rrugë dytësore që lidhin qytetet me komunat.
Problematike ka qenë gjendja edhe për komunat dhe bashkinë e Urës Vajgurore, ku si pasojë e daljes nga shtrati të lumit që ndodhet pranë janë përmbytur rreth 200 ha tokë, disa shtëpi, por janë shkatërruar edhe të mbjella dhe ka pasur dëme të shumta në bagëti dhe gjënë e gjallë.
Drejtori i përgjithshëm i Rrugëve, Toma: Situata e rrugëve nën kontroll, shmangni aksin Gjirokastër- Tepelenë
Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma përmes një deklarate për mediat bëri një panoramë të përgjithshme të gjendjes së rrugëve pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë gjithë territorin vendit gjatë 24 orëve të fundit. Toma bëri me dije se me përjashtim të aksit të Valbonës, në Veri dhe aksit Gjirokastër -Tepelenë, situata në rrugët e tjera nacionale është nën kontroll dhe nuk shfaq probleme serioze.
“Me gjithë reshjet e dendura, të cilat për më shumë se 48 orë kanë rënë në të gjithë territorin e vendit situata e rrugëve nacionale janë në menaxhim nga autoriteti rrugor shqiptar. Situata paraqitet e pëlqyeshme. Në veri i vetmi aks që kalohet me zinxhirë është ai i Valbonës dhe po punohet për zhbllokimin.. Rruga e Kombit është lehtësisht e përshkrueshme me gjithë prezencën e reshjeve të dëborës. Autoriteti rrugor shqiptar me gjithë strukturat e tij nëpërmjet kontraktorëve që ka kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve është në gatishmëri të plotë. Aktualisht i vetmi aks problematik është aksi Gjirokastër-Tepelenë dhe posaçërisht aksi nga Shkalla e Zezë deri tek Uji i Ftohtë. Ku edhe natën e kaluar ka pasur prezencë të rrëshqitjes së dheut, të cilat Drejtoria Rajonale Rrugore me qendër në Gjirokastër dhe kontraktorët kanë punuar gjithë natën dhe kanë mundur të largojnë sasira të konsiderueshme dherash, por dy orë përpara kemi prezencën e një rrëshqitje tjetër masive si rezultat i mbingopjes së skarpateve dhe kjo shkarje tashmë është në monitorim dhe tashmë po punohet nga kontraktorët”, deklaroi Toma.
SHQIP
Add new comment