SHBA, EULEX dhe OSBE dënojnë dhunën ndaj monumenteve serbe në Kosovë

Postuar në 21 Janar, 2013 13:30

Prishtinë, 21 janar – Ambasada Amerikane në Prishtinë, EULEX dhe OSBE, Misioni në Kosovë, nëpërmjet reagimeve të tyre kanë dënuar dhunën ndaj monumenteve serbe në KosovëNë reagimin me shkrim  e Ambasadës sëe SHBA-ve në Prishtinë thuhet:

“Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka parasysh rëndësinë e heqjes së monumentit shqiptar në Luginën e Preshevës gjatë fundjavës dhe shpreh keqardhje që ky veprim ka shkaktuar një reagim të dhunshëm në Kosovë. Shtetet e Bashkuara dëshpërohen nga ky përdorim i dhunës dhe dënojnë përsëritjen e dhunës kundër monumenteve të Serbëve të Kosovës, kishave dhe komuniteteve që kanë ndodhur gjatë natës. Jo vetëm që këto sulme dëmtojnë frymën e multikulturalizmit në Kosovë, por ato gjithashtu vene ne shenjester komunitetet e Kosovës për vendimet e marra në Beograd.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje popullit të Kosovës që të respektojnë vlerat e përbashkëta të paqes dhe të tregojë vetëpërmbajtje. Apelojmë që protestat të jenë të qeta dhe të mbështesin plotësisht qeverinë e Kosovës në thirrjet e saj për qetësi”.

Ndërkohë, EULEX duke dënuar dhunën ndaj varrezave ortodokse thotë:

 “EULEX-i dënon aktet e vandalizmit apo format e tjera të dhunës. Protestat paqësore janë normale në çdo shoqëri moderne dhe demokratike, por përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht për të u dënuar. EULEX-i u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin dhe të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo akti të dhunshëm. Policia dhe prokurorët e EULEX-it janë duke vëzhguar nga afër situatën dhe duke bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. EULEX-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe të mbështesë institucionet vendore të sundimit të ligjit nëse është e nevojshme

Edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dënoi sot ashpër përdhosjen e disa varrezave ortodokse dhe monumenteve fetare nëpër Kosovë.

Gurët e varrezave ortodokse janë dëmtuar gjatë natës në komunat Kllokot, Obiliq dhe Prizren. Për më tepër, kisha e vogël në varrezën ortodokse në Obiliq mori zjarr. Këto akte vijnë pas përdhosjes së raportuar dhe të dënuar të varrezës ortodokse në Fushë Kosovë një javë më parë.

“Unë i dënoj fuqishëm aktet e përdhosjes së varrezave ortodokse në Kosovë”, tha Schlumberger. “Përdhosja e varrezave dhe monumenteve fetare është e papranueshme dhe shkel jo vetëm të drejtat e komunitetit fetar dhe etnik të cilit i përkasin, por edhe të shoqërisë në tërësi”.

“Unë jam i tmerruar nga këto akte të neveritshme vandale dhe e përshëndes dënimin e bërë nga ana e institucioneve të Kosovës. I bashkohem thirrjes së institucioneve drejtuar të gjitha komuniteteve për qetësi dhe përmbajtje nga çfarëdo akti që do të mund të çonte në dhunë. Unë e mirëpres gatishmërinë e policisë së Kosovës për të rritur masat e sigurisë për rreth vendeve fetare ortodokse dhe u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që sa më shpejt t’i identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë kryesit e këtyre veprave”, tha Ambasadori Schlumberger.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.

Në tetor të vitit 2011, Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi një katalog dhe një raport për gjendjen e varrezave ortodokse në Kosovë.

 

KOHA DITORE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.