“Administrata e paaftë, duhet ndryshuar”

Postuar në 19 Janar, 2014 03:07

Luis Tanushi

-Kryetari i grupi parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, deklaron se mungesa e efektivitetit të administratës kërkon ndryshime për ta bërë atë funksionuese dhe profesioniste. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deputeti Vasili sqaron edhe çështjen e reformës territoriale. I pyetur nëse reforma do të prekë partitë e vogla, Vasili shprehet se reforma nuk duhet parë për asnjë çast si një reformë që ka të bëjë me përqindjet e partive, por si një nismë që do të ndryshojë fytyrën dhe efektivitetin e pushtetit vendor në mënyrë rrënjësore.

Ka filluar debati për reformën territoriale në të cilën parashikohet dhe ulja e numrit të njësive vendore. A mendoni se kjo ndikon në zgjedhjet elektorale, a mund të prekë partitë e vogla?

Nuk mendoj aspak një gjë të tillë dhe e gjithë kjo reformë kaq e rëndësishme nuk duhet parë për asnjë çast si një reformë që ka të bëjë me përqindjet e partive, por përpara dhe mbi të gjitha që ndryshon fytyrën dhe efiçensën e pushtetit vendor në mënyrë rrënjësore. Çdo devijim i fokusit në këtë drejtim do të ishte i pavend dhe që nuk ka të bëjë fare me thelbin e kësaj reforme, pra modernizimit të pushtetit lokal duke eliminuar fragmentimin shumë problematik si dhe inefiçencën serioze të vërejtur në të gjithë territorin e vendit.

Mendoni se favorizohet më shumë e majta apo e djathta?

Nuk favorizohet as e majta as e djathta, absolutisht. Asnjë reformë territoriale apo reformë zgjedhore nuk shton apo pakëson numrin e votave. Kushdo që kërkon të arsyetojë në këtë mënyrë thjesht ndërton alibi për mungesën e rezultateve dhe mbështetjes së ulët në elektorat. Ndaj ka ardhur koha të largohemi përfundimisht nga mënyra të tilla të vjetra arsyetimi dhe të thellohemi në thelbin e problemit, në atë të reformimit të një pushteti vendor që nuk gjeneron shërbimet e nevojshme, por kryen shpenzime tepër të mëdha dhe të pajustifikuara që rëndojnë xhepat e qytetarëve që paguajnë për shërbime që nuk i marrin.

Nga e djathta ka pasur akuza në lidhje me largimet nga puna të punonjësve aktualë të administratës, ndërsa nga ana tjetër për zëvendësimin të tyre me militantë. Si e ka përballuar LSI-ja presionin e zgjedhësve të saj për punësim?

Janë akuza që i dëgjojmë shpesh, por mungesa e efektivitetit të administratës kërkon ndryshime për ta bërë atë funksionuese dhe të drejtuar nga profesionistë. Realisht po bëhet kjo gjë.

A ka qenë rizgjedhja e kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja një marrëveshje për shpalljen e vendimit për nëpunësit civil në muajin prill?

Janë dy çështje që s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Zgjedhja e z.Dedja u bë pas një arsyetimi pozitiv për ushtrimin e detyrës së tij si kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe u rinovua besimi i parlamentit për një mandat të ri nisur pikërisht nga këto premisa. Ndërsa shpallja e një vendimi gjykate është një çështje administrative rutinë që s’ka asnjë lidhje me politikën.

Janë dy dekrete për në Gjykatën e Lartë të dekretuara nga Nishani që janë në pritje, për të cilat përfaqësues të PS-së janë shprehur kundër. Si e shihni zgjidhjen e kësaj përplasjeje institucionale?

Shqyrtimi i këtyre dekreteve nuk është kryer ende. Do t’i shqyrtojmë ato me vëmendje, do të njihemi me arsyetimin e presidentit për përzgjedhjen e këtyre kandidaturave që ai i ka paraqitur Kuvendit dhe vetëm pas këtij procesi serioz vlerësimi do të formulojmë qëndrimin tonë.

Çfarë do të dëshironit që të bëhej ndryshe nga kabineti qeveritar dhe a mendoni se duhet edhe ndonjë riformatim në qeveri?

Mendoj se qeveria ka punuar e motivuar dhe me dëshirë për të ndërmarrë reforma dhe ndryshuar situatën tepër të vështirë që ajo trashëgoi, e ku ajo ekonomike ishte vërtet shumë e rëndë. Po kështu edhe situata e trashëguar e rendit ishte po e tillë. Besoj që qeveria po bën gjithçka që të vërë në kontroll situatën ekonomike dhe financiare si dhe të luftojë në fushë të gjerë korrupsionin.

Kur do të fillojë diskutimi i projektit për skemën e pensionit dhe a është LSI për rritje të moshës së daljes në pension?

Nuk jam njohur akoma me asnjë propozim konkret lidhur me këtë çështje ndaj nuk mund të jap opinione për këtë problem.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.