Shqiptarët kujtohen, tani flitet kudo për mjedisin

Postuar në 20 Janar, 2014 05:07

Vladimir Karaj

Vite të tëra të një Shqipërie që shkatërron dhe djeg thuajse gjithçka të gjelbër, ku nuk ka përgjegjshmëri për mjedisin, duket se kanë ardhur në fund. Nuk është thjesht pankarta provokuese dhe seksiste për disa: “Ta gjej unë një dashnore, vetëm lërë x6 në shpi”, që mbante një nga vajzat e protestës së biçikletave ditën e shtunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është diçka më e madhe. Të shtunën kishte protestë për të liruar korsinë e biçikletave në një qytet të ngufatur prej makinash, borish e zhurmë motorësh dhe të dielën, ajo kundër devijimit të lumenjve Vjosa dhe Radika,projekte të fqinjëve tanë (Maqedoni dhe Greqi), për të cilat ende nuk ka një qëndrim nga qeveria shqiptare. Në linjë me këto, prej javësh tashmë një grup të rinjsh kanë bërë bashkë disa dhjetëra persona për të mbjellë pemë në kryeqytet.

Më herët, protesta më e madhe dhe më interesante e zhvilluar në Shqipëri ishte ajo kundër armëve kimike, që ishte e mbushur me frymëzim ambientalistësh dhe njerëzish që protestonin për një Shqipëri të pastër. Pas saj, e suksesshme u duk edhe fushata “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Dhe brenda kësaj kohe u mbyllën furrat e gëlqeres në Fushë-Krujë dhe pritet të miratohet një moratorium 2-vjeçar që do të ndalojë gjuetinë.

A është kjo shenjë e ndryshimit të qëndrimit për mjedisin? A mos fakti që Shqipëria prej vitesh tashmë gjendet në guidat më të famshme turistike në botë (së fundmi NY Times e vendoste atë në vendin e 4-t mes 50 destinacioneve) po rrit ndërgjegjësimin për të shpëtuar natyrën, që është arsyeja e parë e renditjes në këto lista?!

Nismat sidoqoftë janë të shkëputura dhe duket se secili është në hesap të vet, por interesant është fakti se tashmë ka edhe debat për format që ato po marrin. Ajo që bëri bujë së fundmi ka të bëjë me kërkesën e çiklistëve për të pasur një korsi më vete në rrugët e qytetit. “Është një nismë për të organizuar çiklistët në Tiranë, të mbrojmë korsitë e biçikletave dhe jetën e çdo çiklisti që rrezikon nga bllokimi i korsive. Tashmë komuniteti i përdoruesve të biçikletës po zgjerohet dita- ditës, dhe ka nevojë për siguri. Është një frymë pozitive e rikthimit të biçikletës, e cila i shërben tërë qytetit dhe mjedisit në Tiranë”, – thotë Ened Mato, nismëtar i kësaj lëvizjeje. Për të provokuar pankartat e përzgjedhura prej çiklistëve janë përqendruar kryesisht te përdoruesi i makinës për qejf. “Pjeshkat lëvizin me biçikleta”, thoshte një prej pankartave që u mbajt mes përmes bulevardit dhe kërkon t’u tërheqë vëmendjen atyre që lëvizin me makina luksoze në rrugë në kërkim të vëmendjes. Mato thotë se thirrjet janë thumba humori edhe pse kërkesat janë serioze.

E ndërsa protesta duket për të gjithë e drejtë, jo të gjithë janë dakord me sloganet e zgjedhura. Valentina Taipi, drejtuese e një agjencie marketingu, thotë se është acaruar prej faktit se fushata i sheh femrat si “fyçka” duke i diskriminuar, por edhe orientimi i saj vetëm drejt grupit të personave që i përdor makinat për luks apo për xhiro qejfi. “Liria e korsive duke diskriminuar femrat, më duket pa sens”, – thotë ajo për MAPO. Më anën tjetër, protestuesit e djeshëm për të ndaluar devijimin e lumenjve, i kanë kërkuar qeverisë që të mbajë qëndrim dhe njëkohësisht të sqarojë pozicionin e saj lidhur me projektet e fqinjëve. Devijimi i lumenjve kërkon me domosdoshmëri edhe miratimin e palës shqiptare.

Ndërkohë Ina Kasimati,  Eljan Tanini dhe Arbër Qytyku po mbledhin vullnetarë dhe donatorë rreth një nisme që kërkon të mbjellë pemë në kryeqytet të paktën si fillim. Tanini shpjegon se ideja mund të zgjerohet në vijim në të gjithë vendin, por për këtë është menduar që të fillohet me Tiranën. Gjithkush mund të dhurojë 400 lekë të reja dhe ditën e caktuar do të paraqitet për të mbjellë fidanin e tij të bredhit, për të cilin edhe mund të kujdeset vetë. Zonat ku do mbillen janë brenda në Tiranë. Në Parkun Rinia, buzë Lanës dhe zona të tjera. “Mbill pemën tënde është një aksion qytetar ku të gjithë njerëzit përfshihen në të vullnetarisht përmes dëshirës dhe kontributit modest, duke menduar një person të dashur me kujtime për të mbrojtur gjelbër qytetin dhe mbjelljen e një ose shumë pemëve”, thuhet në faqen e aktivitetit në rrjetin social facebook, ku mund të gjeni gjithçka konkrete në lidhje me iniciativën. E gjitha kjo mund të duket shumë pak, por për një vend ku deri dje mjedisi dhe shqetësimi për të dukeshin luks, lëvizjet janë një fillim jo i vogël.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.