LSI dhe PD akuzojnë qeverinë për mungesë transparence në devijimin e lumit Radika

Postuar në 20 Janar, 2014 09:14

Lëvizja Socialiste për Integrim, aleati kryesor i qeverisjes, e ka quajtur të rëndë çështjen e devijimit të lumit Radika dhe ka kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e Jashtëm shqiptar.

Madje LSI ka shkuar më larg kur e ka akuzuar qeverisjen, ku bën pjesë, edhe për mungesë transparence për këtë çështje. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili tha se qeveria duhet të reagojë.

Përmes një konference për mediat, në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili kërkoi një interpelancë urgjente me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, në lidhje me projektin e palës maqedonase që parashikon devijimin e lumit Radika. Në këtë kuadër Vasili theksoi se transparenca dhe interesat e vendit duhet të jenë mbi cdo gjë.

“Në vijim të shqëtësimeve të thella nga deputeti Spahiu dhe me shqetësimin e ngritur në mjaft takime me qytetaërt e Dibrës dhe nga mospasja e një qartësimi nga autoritet maqedonase, grupi i LSI-së kërkoi interpelancë me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati që të njihen se si kjo çështje e rëndësishme të ecet më përpara në mënyrë që vënia e interesave të vendit të vihet në prevalence mbi çdo gjë. Projekti nga ana e palës maqedonase është një kundërshtim me marrëveshjen Drini një vizion strategjik i përbashkët e arritur në vitin 2011. Me këtë interpelancëne bëjmë detyrën tonë ndaj pasurisë së përbashkët kombëtare. Bashkohemi me shqetësimet e mëdha të opinionit publik, i cili kërkon transparence” tha Vasili.

Ndërsa deputeti demokrat i Qarkut të Dibrës , Roland Keta në emër të PD-së i kërkoi Kryeministrit Edi Rama të dëgjojë shqetësimin mbarëkombëtar për devijimin e lumit Radika.

“Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare të bëjë transparencë në lidhje me një projekt të qeverisë maqedonase që parashikon devijimin e Lumit Radika. Nëse ndodh, ky devijim sjell dëme të pallogaritshme për territorin dhe jetën e më shumë se 20 mijë banorëve të Dibrës së Madhe, të cilët janë në mazhorancë shqiptarë. Por gjithashtu, sjell dëme të mëdha jo vetëm ekologjike por dhe ekonomike, edhe në rrethin e Bulqizës dhe Dibër”, tha Keta.

PD e cilëson të dënueshëm heshtjen e qeverisë shqiptare për këtë shqetësim që është bërë tashmë shqetësim kombëtar. “Ne i kërkojmë Ministrit të Jashtëm dhe Kryeministrit të dëgjojnë zërin e banorëve të Dibrës, të Bulqizës, por dhe zërin e shqiptarëve që banojnë në Dibrën e Madhe, të dëgjojnë zërin e intelektualëve dhe shoqërisë civile në vend, dhe të reagojnë menjëherë e të bëjnë publike, se çfarë po ndodh, cfarë është ky projekt i palës maqedonase, dhe cila është zgjidhja që nuk sjell dëme për qytetarët tanë. Këto janë problemet reale të shqiptarëve, dhe nuk mund të trajtohen me politikën e zero problemeve me fqinjët”, vijon deklarata e PD-së.

Sipas forcës më të madhe opozitare në vend, shurdhëria e qeverisë para këtij shqetësimi në rritje të banorëve që preken drejtpërdrejt, por dhe gjithë qytetarëve dhe opinionit publik, e nxjerr qeverinë shqiptare në rastin më të mirë të paaftë për të kuptuar rëndësinë dhe përmasat e asaj që po projektohet nga pala maqedonase.

Një ditë më parë shoqëria civile dhe qytetarët e Dibrës e Tiranës zhvilluan një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Protestuesit kundërshtuan devijimin e lumit, duke hedhur idenë që të zhvillohet një referendum lokal për këtë çështje.

Thirrjet për protestë dhe ftesat për pjesëmarrje u bënë publike përmes rrjeteve sociale, ndërsa ato u mbështeten edhe nga pushteti lokal i komunës Dibër.

Në Tiranë gjithashtu është krijuar edhe Aleanca Kundër Devijimit të Lumenjve, që ka marrë përsipër sensibilizimin e kësaj çështjeje. “Stop devijimit të Radikës” është një prej parullave që janë vendosur në shumë zona dhe në rrjetet sociale. Qytetarët thonë se nuk do të lejojnë devijimin e asnjë centimetër/kub të këtij lumi. Ata i bëjnë thirrje për reagim dhe qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, që të mos lejojnë zyrtarizmin e një projekti të tillë.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.