Kushtetuesja shqyrton ankimin e PD-së për buxhetin

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot ankimimin e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”.
Në kërkesën e saj, 1/5-ta e deputetëve të PD-së thekson se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se, qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.
“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës”, thuhet në ankimimin e PD-së.
Shekulli
Add new comment