Tahiri: SHISH-i po na saboton

Thellohet përplasja institucionale midis mazhorancës dhe kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzoi SHISH dhe drejtuesin e saj për inaktivitet në luftën kundër kriminalitetit. Në fjalën e tij, ministri Tahiri theksoi se përballë një situate të trashëguar pa informatorë dhe kapacitete reale për të luftuar kriminalitetin, policia po bën maksimumin, ndërkohë që SHISH me mosmarrje dhe mosdhënie informacioni cenon sigurinë kombëtare."Këto janë akte terroriste dhe do të trajtohen si të tilla nga policia e shtetit. Jemi duke zhvilluar hetimin më të plotë me policinë e shtetit pa kursyer askënd. Do bëj maksimumin që këto ngjarje të ndërpriten njëherë e mirë.
Dje kam pasur një takim me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilit i kam komunikuar se inaktiviteti, mosmarrja e informacionit dhe mosdhënia e informacionit cenon sigurinë kombëtare lidhur me këto akte terroriste. Sot që flasim kam zero informacion lidhur me këtë që ndodh nga SHISH. Kjo është e papranueshme dhe cenon sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar, cenon jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Ia kam komunikuar drejtorit të SHISH dhe pres prej tij të më japë informacion lidhur me këto akte terroriste. Unë pres që në luftën kundër të tilla akteve, pavarësisht se kanë një rritje të pajustifikueshme, gati artificiale, pres që përtej bashkëpunimit deklarativ të ketë bashkëpunim thelbësor.
Dhe bashkëpunim thelbësor unë nuk quaj të kem zero informacion nga SHISH lidhur me këtë gjendje, por të kem informacion të plotë”, deklaroi Ministri Tahiri. Ndërsa Sekretari i Komisionit të Sigurisë, Piro Lutaj, shkoi më tej duke kërkuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit që SHISH të vendoset në efiçencë. ‘Këtu doli një problem shumë i madh, çështja e mungesës së informacinit nga institucionet e tjera dhe në mënyrë të veçantë nga SHISH. Dje presidenti është shpre- hur në mënyrë eksplicite duke thënë se: SHISH ka pasur marrëdhënie dhe bashkëpunim të lavdërueshëm me policinë dhe i ka dhënë informacione të rëndësishme për goditjen e trafikut dhe akteve terroriste. Nëse deri para 23 qershor drejtori i SHISH nuk qasej në zyrat e kryeministrit sepse nuk e qaste kryeministri, u lutem t’ia shprehni shqetësimin edhe kryeministrit që SHISH-in ta vendosë në efiçencë. Përsa i përket tritolit të gjithë e dinë shumë mirë që aktivizohet kur nuk është shoku Sali me njerëzit që kemi përballë. Grupet me në krye komandant Saliun i turren lëndinave për të hedhur në erë shtyllat e tensionit”, tha Lutaj.
Dy ditë më parë, Presidenti Nishani do të shprehej kundër një shkarkimi nga mazhoranca e re të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi. Përkundër lajmeve në media dhe akuzave të deputetëve se po rikthehen në punë ish-punonjësit e ShIK-ut të ’97- s, vlerësimi deri më sot për ShISH dhe drejtuesin e saj, sipas Nishanit, është maksimal për punën që ata kanë kryer dhe po kryejnë. “Ajo që mund të them deri më sot për SHISH dhe drejtuesin e saj ka të bëjë me vlerësimin maksimal të punës që ata kanë kryer dhe po kryejnë. Natyrisht që aktiviteti i SHISH është ai që ka veçori specifike shumë të veçantë ndaj të cilit të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Janë fusha që kanë ekspertizë shumë të mirë dhe që arrijnë rezultate konkrete por kërkojnë angazhim maksimal. Pavarësia e tyre është jetësore për suksesin dhe garantimin e sigurisë kombëtare. Vullneti i presidentit do jetë i palëkundur në interes të sigurisë kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë, dhe të mirëfunksionimit të institucioneve të shtetit”, do të deklaronte presidenti Bujar Nishani në A1 Report.
Policia ka nisur hetimet për terrorizëm
Policia e Shtetit ka nisur zyrtarisht hetimet nëse ngjarjet e fundit me sulmet me bomba janë organizuar me qëllime terroriste. Pas shpërthimeve të bombave me celularë, Fran Rica, shef i Sektorit kundër Krimit Ekonomik, shprehet se nga hetimet rezultojnë se shpërthimet e telekomanduara janë përdorur në ngjarje të veçanta."Këto janë objekte të hetimeve dhe nuk mund të jap një konkluzion. Nga hetimet e deritanishme rezulton që këto janë përdorur edhe në ngjarje të veçanta dhe jo pa shkak është edhe shqetësim i shtuar i joni për të ndërprerë këtë veprimtari të paligjshme Përveç hetimeve konkrete që do të çojnë tek personat përgjegjës, ne duhet të ndërpresim paligjshmërinë", tha Rica për Top Channel. Drejtuesi i larte i Policisë së Shtetit bëri të ditur se tashmë ka nisur një aksion kontrolli."Kemi nisur aksion kontrolli më të gjitha tregjet informale dhe kanë sekuestruar qindra numra telefonikë që gjendeshin në zotërim të personave të palicensuar. Të gjithë këta persona janë çuar për ndjekje penale. Po hetohet jo vetëm në drejtim të këtyre personave, por edhe ndaj kompanive apo punonjësve të kompanive që merren me këtë veprimtari", thotë Rica.
Vrasja e dy vëllezërve Çollaku
Ministri i Brendshëm informoi dje anëtarët e Komisionit të Sigurisë rreth ngjarjes në kufi me Greqinë ku mbetën të vrarë dy vëllezër nga Korça dhe një punonjës i policisë greke. Në fjalën e tij, ministri Tahiri deklaroi se çështja tashmë po ndiqet dhe nga prokuroria shqiptare, ndërsa garantoi se policia ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ndihmuar në zbardhjen e saj. “Rreth orës 08:30 Policia Kufitare komunikoi me telefon me një punonjës të policisë kufitare greke në rajonin e Prespës së Vogël, i cili informoi për vrasjen e një punonjësi të Policisë greke nga njëri prej dy shtetasve shqiptarë si dhe vrasjen e dy shtetasve shqiptarë nga shkëmbimi i zjarrit me patrullën e policisë greke. Në këto kushte, pasi është marrë mirëkuptimi i Policisë greke, dy patrulla të Policisë Kufitare kanë shkuar përtej kufirit, drejt vendit të mundshëm të ngjarjes dhe pasi kanë përshkuar rreth 3 km janë kontaktuar nga një patrullë e policisë greke. Nga kjo patrullë e Policisë është mësuar se: “Rreth orëve të mesnatës 07 – 08 dhjetor, patrulla e Policisë Kufitare greke ka konstatuar në tokën greke, në bregun verior të liqenit një varkëlundër dhe rreth 20 metra mbi liqen, në faqen e kodrës një kasolle prej plasmasi. Policët grekë kanë dëgjuar zëra njerëzish dhe u kanë thirrur ‘Policia’. Në atë çast njëri prej shtetasve ka qëlluar me armë drejt tyre duke plagosur rëndë një punonjës policie, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital.
Menjëherë është kundër-përgjigjur policia greke duke vrarë më armë zjarri të dy shtetasit shqiptarë. Në vendngjarje grupi hetimor i policisë greke kishte përfunduar veprimet hetimore dhe kishte tërhequr kufomat për kryerjen e autopsisë”, deklaroi në seancë ministri Tahiri. Minsitri kërkoi që sa i përket vrasjes së dy vëllezërve Çollaku, politika të mos abuzojë me këtë ngjarje të rëndë. Ndërsa deputeti Aqif Rakipi shprehu dyshime në lidhje me raportin e paraqitur nga pala greke.” Normal të kalosh kufirin është shkelje , por që të marrin dhe kallash e armë me vete këta dy njerëz nuk i besoj. Shteti mos të bjerë pre e palës greke. Një i arratisur iku prej andej dhe ti e kape këtu, bëre punën tënde. Megjithatë është thënë se është vrarë dhe një tjetër. Mbase ai ka bërë një debat me punonjësit e tjerë. E ata thanë dy i vramë, e vrasim dhe këtë e mbyllim këtë çështje. Ky është mendimi im ndaj palës greke”, deklaroi deputeti Rakipi.
Shekulli
Add new comment