Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për kompetencat e INUK

Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë të Partisë Demokratike për pezullimin e Aktit Normativ të qeverisë për kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Megjithatë, Kushtetuesja do e shqyrtojë në themel këtë akt.
PD është ankuar se INUK merr kompetencat e gjykatave, duke vendosur vetë se cilin ndërtim të prishë.
Pas vendimit të gjykatës, deputeti i PD-së, Eduard Halimi, tha se qeveria ka shkelur vendimet e gjykatave duke shembur pronat e ligjshme të qytetarëve.
“Qeveria e tritolit ka shkelur vendimet gjyqësore dhe ka vendosur tritol mbi pronat e qytetarëve shqiptarë. Pronat e ligjshme nuk mund të shemben me tritol nga kryeministri apo kryeinspektori”, tha Halimi.
Në seancë, përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso, deklaroi se Akti Normativ për INUK është një cenim flagrant i të drejtave të njeriut.
“Akti Normativ për INUK cenon pronën, pasi e drejta e pronës mbrohet nga Kushtetuta por edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kushtetuesja duhet ta japë sot vendimin për ankimimin tonë në mënyrë që qeveria të mos ketë mundësi që të prishë pronën e ligjshme të qytetarëve me tritol”, tha Kaso.
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të ketë fuqi më të madhe vepruese në të gjithë territorin. Në mbledhjen e datës 30 shtator, qeveria, për të realizuar ndërhyrjen në të gjithë territorin ndaj ndërtimeve pa leje, i ka dhënë INUK-ut më shumë kompetenca për të vepruar, mbi kompetencat që i atribuonte ligji i mëparshëm.
“Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat e përcaktuara në nenet 9, 10 e 10/1 të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 ‘Për inspektimin e ndërtimit’, në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare, me ligj, akte nënligjore apo me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Tema
Add new comment