Meta takon Krasniqin: Intensifikim bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

Tiranë, 14 shkurt 2014, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në takim homologun e tij kosovar, Jakup Krasniqi. Gjatë takimit mes tyre u diskutua rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon. Pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe, Meta rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euro-atlantike të Republikës së Kosovës duke theksuar se institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë një shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj evropian. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve tona. Në përfundim të takimit dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet, i shërben forcimit të stabilitetit dhe paqes të të gjithë rajonit, dhe se të dy Parlamentet do t’a rrisin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Add new comment