Kosova dhe Shqipëria shpejt me kurrikulë të përbashkët.

Postuar në 16 Shkurt, 2014 05:25

Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të kenë një kurrikulë të përbashkët. Zyrtarë të ministrisë së arsimit, thonë për Radio Kosovën, se përveç Abetares së unifikuar, tashmë është duke u punuar edhe për kurrikulën e përbashkët ndërmjet të dyja vendeve. Republika e Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë që të marrë për model Kurrikulën e Kosovës. Kjo kurrikulë do t’i paraprijë edhe hartimit të teksteve të përbashkëta.

Albana Karaj
Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Ragip Gjoshi, tha për Radio Kosovën se përpjekjet për unifikimin e sistemit arsimor Kosovë-Shqipëri janë shumë të mëhershme. Ai tha se përveç Abetares së unifikuar që tashmë është realizuar, janë bërë përpjekje që edhe kurrikula e sistemit arsimor të jetë e përbashkët. Ai tha se nga takimet që janë zhvilluar ndërmjet dy ministrive të arsimit, është shprehur gatishmëria që Shqipëria të marr modelin e Kurrikulës së Kosovës.

“Është arritur pëlqimi dhe gatishmëria e Shqipërisë që të marrë kurrikulën tonë të arsimit parauniversitar komplet. Përsëris fjalët e ministres së arsimit të Shqipërisë, e cila e tha se kjo është dhurata më e bukur nga Kosova. Një shtet me pesë vjet jetë, ka arritur të hartojë një dokument të arsimit, ky është një fakt se arsimi në Kosovë shënon ecje të rëndësishme drejt synimeve të shteteve të BE-së.”

Gjoshi tha se realizimi i kurrikulës së përbashkët me Shqipërinë, i paraprinë hartimit të mëvonshëm të librave dhe botimeve të përbashkëta.

“Çështja e kurrikulave më në fund po shënon bashkimin dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kurrikula i paraprinë hartimit të planeve mësimore dhe nga planet mësimore hartohen tekstet. Për dallim nga ne, edhe ata janë duke e diskutuar çështjen e teksteve alternative, ku mendohet që disa tekste mësimore të jenë të përbashkëta.”

Ministria e Arsimit të Shqipërisë do të bëjë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme në ligjin për arsimin parauniversitar, për të filluar punën e kurrikulës së përbashkët me Kosovën. Ky ndryshim pritet të bëhet në fillimin e vitit të ardhshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.