Bushati takon kongresmenët Engel dhe Aderholt.

Postuar në 30 Prill, 2014 04:24

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në SHBA, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, zhvilloi sot takime me kongresmenët Robert Aderholt dhe Eliot Engel. Ministri Bushati i informoi kongresmenët me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe situatën në rajon. Ai u shpreh se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të një rëndësisë parësore dhe strategjike për vendin tonë. Gjithashtu, Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së, në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Kongresmenët amerikanë vlerësuan progresin e Shqipërisë, reformat për forcimin e shtetit ligjor, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Ata veçuan rolin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si faktor paqeje në rajon. Përfaqësuesit  amerikanë rikonfirmuan vijimin e mbështetjes për Shqipërinë, në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese. Bashkëbiseduesit u ndalën në projektet e bashkëpunimit rajonal, ku veçuan rëndësinë e gazsjellësve TAP dhe IAP, si mundësi reale për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit. Ministri Bushati shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për angazhimin e tyre ndër vite në forcimin dhe intensifikimin e  bashkëpunimit dypalësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.