Kontrabanda e drurit, kontrolle dhe bllokime në Lezhë e Shkodër.

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (ISHMPU), Drejtoria e Inspektoriatit të Policisë Pyjore në kuadër të masave për forcimin e zbatimit të ligjit për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve dhe goditjen e aktiviteteve te paligjshme ka ushtruar inspektim në qarqet Lezhë dhe Shkodër.ISHMPU inspektoi zonat pyjore të Oroshit, Kthellës, Kaçinarit, Kurbneshit si dhe ushtroi kontroll në 6 pikat e grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të lëndës drusore në zonën e Fanit, Repsit, Kthellës etj.
Nga kontrolli i ushtruar, është bllokuar e sekuestruar rreth 40 m³ trupa bredhi, 10 m³ dërrasë ahu dhe 20 m³ dërrasë pishe. Kontrolle janë ushtruar dhe në disa zona për prodhimin e paligjshëm të qymyrit të drurit. Gjithashtu janë marrë masa e procedimit dhe janë vendosur gjoba për subjektet që kanë shkelur ligjin.
Në qarkun e Shkodrës vijon kontrolli. Gjatë inspektimit, inspektorët e pyjeve janë ndalur edhe në verifikimin e prerjes së 30 drurëve të llojit pishë në Ekonominë pyjore Lumbardhë, pyll komunal në pronësi të komunës Qafa e Malit. Inspektorët janë duke hetuar për gjetjen e personave që kanë kryer prerjen e palishgjme.
Inspektimi i ISHMPU-së në pyje, nisi disa ditë më parë në qarkun e Elbasanit. Nga kontrolli në këtë qark rezultoi se 21 subjekte nuk ishin të pajisura me dokumentacionin e duhur ligjor për aktivitetin e shfrytëzimit të lëndës drusore. Inspektimi i ISHMPU-së do të vazhdojë në të gjithë vendin duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë shtetërore të zbatimit të ligjit.
Add new comment