Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë kushte më të mira në punë.

Qeveri-KEK, duam asetet tona”, “ Parat tua në xhepa privat”, “ Alternativa, kthimi i punëtorëve në prodhim-KEK”, “ 10 vjet në vësh të shurdhër”, ishin pankartat e rreth 100 punëtorëve të mbrojtjes dhe sigurisë të KEK-ut, të cilët protestuan pikërisht me 1 Maj, Ditën e Punëtorëve, me kërkesë që të zgjidhet statusi i tyre dhe për kushte më të mira gjatë punës së tyre.
E në rast se këto kërkesa të tyre nuk plotësohen dhe nuk marrin asnjë përgjigje nga asnjë institucion, këta punëtorë, do të organizojnë grevë. Kështu ka pohuar Izet Mustafa, kryetarë i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut.
Ai tha se ka 10 vite që statusi i tyre ka mbetur i pazgjidhur dhe se nuk është hera e parë që këta punëtorë po kërkojnë nga institucionet shtetërorë që të zgjidhet kjo çështje.
“ Jemi grumbulluar sot këtu një njësi punuese, apo ish njësi punuese e korporatës energjetike, që janë punëtorë të mbrojtjes dhe sigurisë të KEK-ut, të cilët që 10 vite kanë mbetur me status të pazgjedhur dhe faktikisht po vazhdojnë të punojnë me kushte jo të mira dhe me kushte jashtë standardit që garanton Ligji i Punës dhe Marrëveshja Kolektive në ni vel vendi. Ne kemi bërë përpjekje disa herë që të zgjidhjet çështja e statusit të këtyre punëtorëve, por edhe të njësive tjera, shoqëri aksionare që janë privatizuar e janë regjistruar si shoqëri aksionare pa asnjë aksion dhe për fat të keq deri tash kjo situatë ka vazhduar të jetë pa zgjidhje dhe të has në vesh të shurdhër edhe të menaxherit të KEK-ut edhe të Bordit të KEK-ut, por edhe të institucioneve të vendit, sepse ju e dini që KEK-u menaxhohet apo është aset i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, viti i parë i kontratës mes KEK-ut dhe kompanisë së sigurimit fizik, VDG, për këta punëtorë ka arritur vlerën deri në 7 milion euro, për 3 vite, e që sipas Mustafës, është më e favorshme si për punëtorët, si për korporatën energjetike.
Ai tha se do protestojnë edhe në ditët në vazhdim dhe nëse për kërkesat e tyre nuk ka ndonjë përgjigje, atëherë kjo sindikatë do të organizojë edhe grevë.
“ Meqenëse kjo shoqatë ka marr vendim që të protestojë në mënyrë të vazhdueshme do të protestohet edhe nesër edhe të hënën edhe të martën, me nga 1 orë prej orës 12:00 deri në 13:00. Po shpresojmë që institucionet që janë përgjegjëse për menaxhim me KEK-un të marrin një vendim të arsyeshëm e në favor, në interes të këtyre punëtorëve, por edhe të kompanisë, por edhe vet Kosovës. Në të kundërtën ne do të paralajmërojmë, ashtu siç është e paraparë edhe me ligj mbi organizimin e grevave, dhe greva nuk do të jetë vetëm e këtyre punonjëseve, por jam i bindur që grevës apo kërkesave do t`ju bashkëngjiten edhe punëtorët e ish njësive të tjera, që kanë punuar në kuadër të KEK-ut”, tha ai.
Ndër të tjera, në këtë protestë u tha se aktualisht janë rreth 250 punëtorë të cilët kanë dosje në KEK për marrëdhënie pune dhe që pas një kohe, me vendim të zyrës ligjore të KEK-u, këta punëtorë u transferuan në operatorin privat, që siç thanë ata, ka qenë tendencë e përfitimeve materiale të menaxhmentit të KEK-ut dhe operatorëve privat ekonomik.
Ndryshe këta punëtorë, tani janë nën menaxhimin e kompanive private të sigurimit fizik, Security Code dhe VDG.
Add new comment