Vjedhja e thesarit të BSH, Apeli lë në burg Petrit Ramohitajn

Postuar në 26 Gusht, 2014 03:29

Shtatë të arrestuarit në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë nga Ardian Bitraj, sot do të dalin para Gjykatës së Apelit, pasi kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë. I pari që ka dalë para togave të zeza ka qenë Petrit Ramohitajn, të cilin Apeli e la sërish në burg. Ndërkaq, ditën e djeshme prokuroria nuk ka mundur që të nisë e të marrë dëshmitë e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të bankës, pasi njërit prej prokurorëve i kishte ndodhur një fatkeqësi familjare.

Pritshmëria e grupit hetimor ka qenë e madhe për shkak se, fletë-thirrjet ishin dërguar disa ditë më parë dhe e para që do të paraqitej zëvendësguvernatorja Elisabeta Gjoni.

Ndërkaq, të pandehurit që do të përballen sot në Gjykatën e Apelit janë: Bashkim Xhilaga, Dorian Çollaku, Petrit Ramohitaj, Liljana Tusha, Lavdim Cani, Myzejen Belba dhe  Dhimitër Davidi.

Adrian Bitraj dhe Mimoza Bruzia janë të vetmit që nuk kanë ndryshuar masën, duke pranuar akuzën dhe vjedhjen e kryer.
 
Masat do të shqyrtohen nga tre trupa gjyqësore të veçanta.
 
Ndërkaq, edhe pse ka kaluar afro një muaj nga nisja e hetimeve për skandalin e thesarit të Bankës së Shqipërisë, ende mbetet e papërcaktuar shifra zyrtare e dëmit ekonomik shkaktuar shtetit nga vjedhja e kryer.
 
E pikërisht për të hedhur dritë mbi shifrën reale të vjedhur nga paratë e shqiptarëve prej thesarit të bankës, është firmosur dhe vendimi i prokurorisë për të kontraktuar një grup ekspertësh kontabël të jashtëm të cilët do të verifikojnë pasqyrat financiare të bankës si dhe do të bëjnë rakordimet e gjendjes fizike të parave në thesar.

Masat te Apeli
Pasi janë arrestuar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, shtatë ish-punonjësit e Departamentit të Emisionit (Thesarit), nuk kanë pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga prokuroria. Gjatë dëshmive të tyre ata kanë deklaruar se, nuk kishin dijeni për vjedhjen që kishte bërë Ardian Bitraj. Arrestimet e tyre janë bërë pasi, prokuroria beson se, ka prova se këta ish-punonjës nuk kanë parandaluar vjedhjen që po bënte Bitraj, në bashkëpunim me nipin e tij, Klevis Bejtaj.

Personat e arrestuar kanë pasur detyra për të kontrolluar depozitat në arkat stok dhe në ato të lëvizshme, dmth në arkat ku mblidheshin paratë e dëmtuara dhe paratë e reja që do të hidheshin në treg. E sipas akuzës, shtatë të arrestuarit dyshohet se, mos veprimet e tyre kanë favorizuar vjedhjen e lekëve në Thesarin e shtetit. Duke mos qenë dakord me akuzat dhe masën e sigurisë, ata kanë apeluat vendimin. Dy të pandehurit e tjerë, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, nuk e kanë apeluar këtë vendim. Ndërsa për Klevis Bejtaj, Apeli e la sërish në qeli.

Dëshmitë e këshillit
Ditën e djeshme, grupi hetimor duhej që të niste marrjen e dëshmive të anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës. E para që duhej të paraqitej ishte zëvendësguvernatorja Elisabeta Gjoni. Ajo ishte ftuar nga Prokuroria e Tiranës për të dhënë dëshminë e saj, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë. Në listën e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen janë të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrësme në krye guvernatorin Ardian Fullani.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.