Vjedhja e BSH-së, Shoqëria Civile protestë para Parlamentit.

Shoqëria Civile ka protestuar sërish për vjedhjen në institucionin më të lartë financiar në vend. Aktivistët dhe iniciatorët e nënshkrimit të peticionit për largimin e Guvernatorit Ardian Fullani, kanë protestuar para Parlamentit.
Kreu i kësaj proteste Zirkon Disha tha se paralelisht me protestën po vijon mbledhja e firmave të qytetarëve me qëllim që t’i kërkohet Kuvendit shkarkimi i Fullanit.
Sipas tij deri më tani janë mbledhur 13.000 firma dhe këto firma do i dërgohen parlamentit si zëri i deputetit që i mungoi përfaqësimit të qytetarëve në këtë Parlament.
Gazetari, Basi Çollaku, akuzoi klasën politike për mosreagim ndaj skandalit të vjedhjes së BSH-së. Sipas tij politikanë të vjetër dhe të rinj janë kapur nga Guvernatori në këmbim të heshtjes së tij për abuzimet dhe llogaritë milionëshe të tyre në banka.
“Deputetët kanë frikë të mos u dalë në ekranin e votimit për shkarkim Guvernatori Fullani se i tremb më shumë se ferri dhe djalli. Jo thonë ata, pushtetarë dhe ish-pushtetarë, këtë mos na e kërkoni, nuk e bëjmë dot. Na kërkoni të reformë territoriale, këtë e bëjmë pa pyetur askënd. Na kërkoni të shkarkojmë Presidentin, e bëjmë brenda ditës.Na kërkoni të bëjmë përshesh gjykatat, prokurorinë, inspektoriatet. Të gjitha këto i bëjmë për qytetarët thonë parlamentarët tanë paçka se këta janë të papavarur. Por jo Guvernatiori, thua të ketë sekrete për politikanët tanë të vjetër e të rinj në miliarda dollarë, në bankat në Zvicër e Qipro apo vende të tjera”, tha Çollaku.
Add new comment