Reagim i INFOCIP: Këshilli i BSH të japë dorëheqjen në grup‏.

Postuar në 06 Shtator, 2014 16:03

Pas arrestimit të Guvernatorit të BSh Ardian Fullani dhe inspektores së përgjithshme të këtij institucioni ka reaguar edhe Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOCIP. Në një deklaratë për mediat INFOCIP, përshëndet veprimet e deritanishme të Prokurorisë dhe Gjykatës për arrestimin e Guvernatorit Fullani, duke theksuar se kjo ishte një finale e pritur pas vjedhjes së 713 milion dollarëve nga Thesari. Ndërkaq, INFOCIP kërkon dorëheqjen në grup të Këshillit Mbikëqyrës së BSH nisur edhe nga rrethanat e krijuara.

“INFOCIP i kërkon anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës që, në kushtet e reja të krijuara të japin dorëheqjen në grup. Ata kanë dështuar dyfish në detyrën e tyre mbikëqyrëse: edhe BSH që duhet të mbikëqyrnin është vjedhur, por edhe Guvernatori që ata e kanë konsideruar të përgjegjshëm, sot është pas hekura i akuzuar për shpërdorim detyre.
Nëse dorëheqja e tyre vonon edhe këtë herë, INFOCIP i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të marrë masat e nevojshme ndaj papërgjeshmërisë së Këshillit Mbikëqyrës”, thuhet në reagimin e INFOCIP.

Reagimi i INFOCIP
Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOCIP, përshendet veprimet e deritanishme të Prokurorisë dhe Gjykatës për arrestimin e Guvernatorit të BSH, A. Fullani. Arrestimi i tij ishte finalja e shumëpritur që pas shpërthimit të skandalit të vjedhjes së 713 milion dollarëve nga BSH. Sistemi i pandëshkueshmërisë ka marrë një çarje dhe kjo padyshim i gëzon shqiptarët.

Arrestimi i Fullanit, përvece një finale, mund të konsiderohet edhe si ngritja e siparit. Me Fullanin e akuzuar për shpërdorim detyre (aktualisht në dhomat e paraburdimit në DPT), hetimet kanë shans të thellohen më tej. Piramidoni ka rënë dhe bashkë me të ka humbur kuptimin edhe vot-besimi i turpshëm që Bordi Mbykqyrës i dha Guvernatorit në datë 15 gusht (përjashtuar znj. E. Meksi). Mbështetja e Bordit për Guvernatorin është ofruar verbtazi deri dy ditë më parë, kur anëtarët të caktuar të këtij bordi shihnin tek Fullani “përgjegjshmërinë në veprim”. Është e qartë që ky bord është zgjatimi i Guvernatorit (kryetar njëkohësisht i Këshillit Mbikqyrës). Rrjedhimisht, nëse ndaj Fullanit rëndon sot akuza e shpërdorimit të detyrës, ndaj cdo anëtari të bordit minimalisht rëndon e njëjta akuzë.

INFOCIP i kërkon anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës që, në kushtet e reja të krijuara të japin dorëheqjen në grup. Ata kanë dështuar dyfish në detyrën e tyre mbikqyrëse: edhe BSH që duhet të mbikqyrnin është vjedhur, por edhe Guvernatori që ata e kanë konsideruar të përgjegjshëm, sot është pas hekura i akuzuar për shpërdorim detyre.

Nëse dorëheqja e tyre vonon edhe këtë herë, INFOCIP i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të marrë masat e nevojsshme ndaj papërgjeshmërisë së Këshillit Mbikqyrës. Në një rast të tillë, ajo duhet të rikualifikojë akuzën nga “Shpërdorim detyre”, në “Vjedhje në bashkëpunim me pasoje dem në përmasa të mëdha”.  Bordi dhe Guvernatori kanë qenë solidarë deri më sot, cka përforcon mendimin se ata kanë vepruar (mosvepruar) në dakortësi me njëri tjetrin, me pasojë vjedhjen e institucionit më të rëndësishëm financiar në vend.

Që në fillim të Gushti, ne kemi kërkuar publikisht që para përgjegjësisë të vihen anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të BSH. Nga një lexim i kujdesshëm i ligjit 8269 “Për Bankën e Shqipërisë”, 16 nga 18 nene gjithsej qe përmban kreu VI  “Organizimi dhe Drejtimi i BSH”, normojnë detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Mbikqyrës. NENI 41, me të cilin fillon ky kre, e thotë qartë se “Banka e Shqipërisë organizohet, drejtohet dhe kryen veprimtarinë e saj nëpërmjetKëshillit Mbikëqyrës, administratorëve, që janë guvernatori dhe dyzëvendësguvernatorët, si dhe personelit, siç përcaktohet në këtë ligj.” Po ashtu, NENI 42 përforcon supremacinë e Këshillit mbi Guvernatorin duke e shprehur qartë se “Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimarrës dhe mbikëqyrës i politikave, i administrimit dhe i operacioneve të Bankës se Shqipërisë”.  Ligji, me gjithë difektet serioze që ka, specifikon detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit, duke i lënë guvernatorit vetëm kompetenca të cilat “ligji nuk ia njeh/specifikon më parë Këshillit” (neni  53/4).
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.