Ish-gardiania që fuste në kurth "bosët", gjykata e mbyll në qeli.

Ish-gardiania e burgut të Vaqarrit, Klodiana Driza dhe i dashuri i saj Ermal Mrruku, janë lënë në burg nga gjykata e Krimeve të Rënda. Dy të arrestuarit kanë dalë dje para gjykatës ku janë njohur me masën e sigurisë, ndërkohë që gjatë procesit nuk kanë pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria.
Para gjykatës i dyshuari për “gjobëvënie” nuk pranoi akuzën pavarësisht se prokurori i tregoi togave të zeza disa foto e video, ku i dyshuari shantazhonte në takime biznesmenë të ndryshëm, duke i kërkuar shuma të mëdha parash në formë kërcënimi. Prokurori tha se Klodiana Driza joshte burra të martuar, me të cilët tentonte të niste një marrëdhënie. Në momentin kur afrohej me ta, atëherë ndërhynte Ermal Mrruku.
Ky prezantohej si bashkëshorti i Klodianës dhe me pretendimin se kishte zbuluar tradhtinë, kërcënonte personin që kishte rënë në kurth. Të gjendur në një situatë të tillë, viktima ishte e gatshme të paguante për të mbyllur gjithçka. Në disa raste gjoba ishte 100 mijë lekë deri në 500 mijë lekë të reja, ndërsa në një rast ata kishin përfituar dy apartamente dhe 60 mijë euro nga një biznesmen i njohur. Vet i dyshuari nuk pranoi akuzën, duke pretenduar se është një kurth i personave me të cilët e dashura e tij kishte lidhje intime. Arrestimi i tyre u bë pranë prokurorisë së Tiranës, ku agjentët e policisë u filmuan teksa po arrestonin gjobëvënësin Mrruku dhe shokun e tij, i cili më pas u la i lirë.
“Grushtat” për gardianen
Për të mos u kuptuar kurthi që ngrihej ndaj biznesmenëve, gardiania 28-vjeçare Klodiana Driza, është detyruar t’u rezistojë grushtave dhe shkelmave të të dashurit saj Ermal Mrruku, që hiqej sikur ishte bashkëshorti. Keqtrajtimi i saj, ndodhte gjithmonë në sy të “klientit” që ajo kishte peshkuar dhe që së bashku ishin përgatitur për të kryer marrëdhënie seksuale. Skena e ketrajtimit të 28-vjeçares, sipas akuzës ka ndodhur të paktën në më shumë se dy raste, kjo me qëllim për të krijuar tek “klienti” idenë se Klodiana dhe Ermali ishin vërtet burrë e grua, ndërkohë që vlente edhe për t’i shkaktuar panik viktimës së mashtruar.
Dhe për ta frikësuar më tepër biznesmenin që kishte rënë në çarkun e ngritur nga gardiania 28-vjeçare dhe i dashuri i saj, ndaj tij herë pas herë qëllohej me pistoletë në ajër dhe mbi kokë, duke e detyruar të pozojë për fotografi i përqafuar me Klodianën, foto këto që më pas shërbenin për presion dhe shantazh me qëllim marrjen e shumave financiare. Ndërsa për sa i përket, Klodianës, kjo e fundit “detyrohej” të pozonte, pasi sipas “bashkëshortit” të saj, fotot do t’ja jepte, të vëllait, babait dhe nënës së 28-vjeçares, me qëllim për të vërtetuar tradhtinë.
Add new comment