SHBA, Nishani dekoron federatën "Vatra" me "Flamurin Kombëtar"

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë qëndrimit të tij në Neë York vlerësoi dhe nderoi në një ceremoni dekorimi kontributin e Federatës Pan-shqiptare të Amerikës "VATRA" me Medaljen e "Flamurit Kombëtar", si dhe dy personalitete të saj, Agim Karagjozi dhe Gjon Bucaj, me medaljen "Nderi i Kombit".
Në fjalën e tij Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi kontributin historik për çështjen shqiptare, atdhedashurinë dhe dëshirën tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në SHBA.
"Themeluesit e kësaj Federate Mbarë-shqiptare: i gjithanshmi Imzot Fan Noli, eruditi Faik Konica, juristi Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Llambi Çikozi, Elia Tromara, dy herë kryeministri Kostaq Kota e shumë të tjerë patën largpamësinë e duhur historike, ndjenjën e pastër patriotike, vullnetin e mirë dhe energjinë e pashtershme që organizata juaj të shndërrohej vërtet në një vatër të ngrohtë dhe përkujdesëse për bijtë e mërguar të shqipes, këtu në Amerikën e largët'!" u shpreh Nishani në ceremoni.
Presidenti Nishani vuri në pah mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të demokracisë së re shqiptare, SHBA-së dhe të udhëheqësve të saj në çastet më vendimtare të historisë së kombit shqiptar.
Ai gjithashtu vlerësoi lart rolin e Diasporës shqiptare në ruajtjen dhe pasurimin e vlerave shqiptare si dhe rritjes së imazhit të vendit tonë në SHBA dhe kudo ku janë.
"Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë tashmë aleatë strategjikë besnikë dhe partner strategjikë të bashkuar ngushtësisht nga interesa dhe vlera të përbashkëta. Shqipëria jonë, një ish-anëtare e Paktit të Varshavës, është kthyer në një anëtare të denjë dhe të besueshme e NATO-s, një kontribuese në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit botëror, i cili vazhdon të mbetet një kërcënim për botën e lirë dhe demokratike. Më lejoni të përfitoj nga ky rast, për të rikonfirmuar fuqishëm mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të demokracisë së re shqiptare, Shtetet e Bashkuara, për qeverinë dhe udhëheqësit e saj në momentet më vendimtare të historisë së kombit shqiptar." tha Presidenti Nishani
Në fund Nishani tha se “drejtuesit e "Vatrës", kanë dhënë kontribute të pamohueshme në bashkimin e shqiptarëve në Amerikë dhe gjetkë”.
Add new comment