“Rule of law” është kushti i parë i anëtarësimit në BE
Me gjasa të mëdha, Kroacia do të firmosë në nëntor ose dhjetor traktatin e futjes në BE. Kështu raportonte dje agjensia e lajmeve “EUinside”, e specializuar për lajmet mbi BE-në, pas takimit në Varshavë të kryeministres kroate, Jadranka Kosor, dhe kryeministrit polak, Donald Tusk. Polonia ka rradhën e presidencës së BE në sistemin me rrotacion 6-muajor të saj. Kryeministri polak deklaroi pas takimit se do t’ia paraqisë tekstin e traktatit qeverisë kroate në Zagreb diku nga mesi i shtatorit dhe pret që të firmoset në Varshavë në fund të nëntorit ose fillim të dhjetorit. Firmosja e traktatit është vetëm faza e parë e antarësimit të plotë. Pas saj, Kroacia duhet të zhvillojë një referendum mbi antarësimin dhe, më pas, të 27 vendet e BE-së duhet ta ratifikojnë traktatin.
Ndoshta jo rastësisht, ky lajm vjen fill pas seancës së parë hetimore të ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, i cili akuzohet për korrupsion nga prokuroria kroate. Sanader ishte kryeministri që firmosi antarësimin e Kroacisë në NATO në prill të 2009-ës. Agjensia “Rojter” njofton se Sanader u mor në pyetje në burgun “Remetinec”, ku ndodhet pas ekstradimit nga Austria. Ai akuzohet për marrjen e një mite prej 10 milion dollarësh nga kompania hungareze MOL, e cila bleu paketën kryesore të kompanisë shtetërore kroate të hidrokarbureve. Gjithashtu ai akuzohet se, gjatë kohës që ka qenë kryeministër (2004-09), ka devijuar fonde shtetërore në funksion të aktiviteteve të partisë së tij të djathtë.
Sipas gazetës kroate “Jutarni List”, çështja penale e Sanaderit është e lidhur me arrestimet gjatë këtij viti të një ish-zv-kryeministri, të kryetarit të financës së partisë së Sanaderit dhe, së fundi, të kryellogaritarit të saj. Kjo fushatë arrestimesh filloi kur Jadranka Kosor, e përzgjedhur nga vetë Sanader, erdhi në krye të qeverisë, pas dorëheqjes së këtij të fundit. Nën udhëheqjen e Kosorit, Kroacia përmbylli negociatat e antarësimit në BE në qershor të këtij viti. Kushti i paplotësuar deri atëhere kishte qenë lufta e pamjaftueshme kundër korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit.
Add new comment