Gjobë 560 mijë dollarëshe e METE-s për ACR-në e Bulqizës

Postuar në 28 Korrik, 2011 05:57

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE) ka gjobitur me 560 mijë dollarë Albanian Chrome sh.p.k. (ACR), kompaninë bijë të kompanisë minerare austriake DCM DECOmetal. Motivi i gjobës është mosrealizimi i investimeve në minierën e Bulqizës sipas kontratës së koncesionit. Kjo gjobë vjen në momentin kur 16 nga 700 minatorët e kësaj miniere po zhvillojnë një grevë urie 1400 metra nën tokë, për të detyruar kompaninë ACR që t’u rrisë pagat 20% dhe të kryejë investimet e premtuara për përmirësimin e kushteve të punës në minierë. Ndërkohë, ACR-ja ka rënë dakord për një rritje prej vetëm 10%, por kjo ofertë nuk është pranuar nga minatorët.

METE deklaroi se ACR-ja ka investuar vetëm 3.1 milionë dollarë në minierë për periudhën 2007-2008, nga 3.4 milionë që duhej të investonte, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë investim në vitin 2009.  DCM DECOmetal, kompania mëmë e ACR-së deklaroi javën e kaluar se ka marrë në zotërim të plotë koncensionin e Bulqizës vetëm në vitin 2009 dhe ka shpenzuar rreth 43 milionë dollarë gjithsej për blerjen e koncensionit dhe për përmirësimin e kushteve të punës në minierë. Kjo deklaratë ishte në përgjigje të pezullimit të pjesshëm që i bëri METE licensës së ACR-së, pas analizës së punës së kësaj të fundit në minierë. Këto veprime të METE-s vijnë pas grevës dy-javore të 700 minatorëve të Bulqizës dhe, së fundi, të grevës së urisë të 16 të tjerëve syresh.

E.Z.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.