Gëzim Kame ngre zërin kundër “çapaçulëve militantë”
“Ka disa ish-studentë të mij, që sot janë në pushtet; por kanë treguar se janë njerëz të vegjël”, zbrazet regjizori i njohur Gëzim Kame. Me kë e ka? Pse e ka? Pse tani? Këto janë pyetjet që të lindin, kur lexon shkrimin e gazetares së Shekullit Magdalena Alla. Por përgjigjet dalin në shkrimin e ndërtuar mbi intervistën, që “regjisori i karrierës, ish-drejtori artistik dhe i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, tridhjetë vjet ish-pedagog në Akademinë e Arteve dhe trembëdhjetë vjet dekan i këtij fakulteti”. i ka dhënë gazetares. “Tanimë nuk më fton kush të jap një orë leksion. Në dhjetë vitet e fundit kam vënë gjithsej vetëm katër-pesë shfaqje në Teatrin Kombëtar, të cilat janë fare pak për një regjisor me përvojë. Dhe kjo padrejtësi bëhet pa ndonjë arsye, thjesht sepse nuk e kanë mendjen tek shkolla, tek emrat që e kanë bërë atë apo teatrin, tek vënia në vend e vlerave, por tek klanet dhe meskinitetet e tyre.”, shprehet ai. Dhe më pas saktëson: “Thjesht ngre zërin, sepse më vjen keq se si ka mundësi që jetojmë kohë të tilla! Jam i revoltuar dhe indinjuar nga drejtuesit e institucioneve të këtij vendi, disa çapaçulë militantë partish me tendenca dhe preferenca personale, lokaliste dhe servilë të pushtetit”.
Së fundmi, Gëzim Kame ka vënë në skenë pjesën “Të gjithë me huqe” të dramaturgut francez Laurent Baffi. Por nuk e ka vënë atje , ku do donte, dmth në skenën e Teatrit Kombëtar. E ka vënë në Gjakovë, me një trupë aktorësh të Kosovës. E sheh këtë bashkëpunim me kosovarët si një mënyrë për t’i ikur “dhunimit administrativ shtetëror”.
Sa mirë do ishte që njerëz si Kame të mos e shihnin sundimin e “çapaçulëve militantë” e “dhunimin administrativ shtetëror” veç në rastet kur këta vetë lihen pas dore. Ky rend gjërash egziston prej kohësh në Shqipëri; thjesht viktima kanë qenë të tjerët.
E.G.
Add new comment