Kabllogramet Prishtinë-Washington, asgjë për t’u shënuar
Wikileaks ka publikuar kabllogramet e ambasadës amerikane në Kosovë, por ndryshe nga ato në Shqipëri, kjo korrespondencë është e sheshtë dhe pa shumë surpriza për t’u komentuar. Wikileaks ka publikuar deri më tani 7 kabllograme për Kosovën, të dërguara respketivisht nga Zyra (para shpalljes së Pavarësisë) dhe më pas Ambasada e SHBA-ve në Kosovë për Departamentin amerikan të Shtetit në periudhën mars 2006 - janar 2010. Periudha e dërgimit të këtyre kabllogrameve shtrihet që nga zgjedhja e Agim Çekut si Kryeministër i Kosovës, deri më 29 janar 2010. Në kabllogramet flitet për zgjedhjen e Agim Çekut Kryeministër i Kosovës, për përpjekjet e pakicave joserbe të Kosovës që të shtojnë ndikimin e tyre në qeverinë ‘Çeku’, për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për fatin e personave të zhdukur, si dhe për nevojën për identifikimin e tyre. Një kabllogram flet edhe për protestat e serbëve në Veri, më 5 qershor 2006, ku ndër të tjera theksohet se serbët e Kosovës janë të frustruar, për shkak të “përkeqësimit të situatës së sigurisë”. “Fakti se fajtorët kapen rrallë iu mundëson radikalëve në Veri që sulmet t’i cilësojnë si sulme me motive etnike, edhe përkundër faktit se OKB ka theksuar se nuk ekzistojnë dëshmi, të cilat flasin për atë se sulmet kanë pasur prapavijë apo motive etnike”, theksohet në kabllogram. Në kabllogramin e datës 20 qershor 2006, flitet për vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha në Kosovë dhe apelin e tij për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Në kabllogramin e datës 10 janar 2007, ndër të tjera theksohet se pjesa më e madhe e pronave dhe kishave serbe, të shkatërruara gjatë trazirave në mars të vitit 2004, janë rindërtuar dhe theksohet se klerikët e Kishës Ortodokse Serbe janë të kënaqur me punën e kryer, pjesa më e madhe e së cilës është kryer nga shqiptarët e Kosovës. Më pas, theksohet se Komisioni i Kosovës për Zbatimin e Rindërtimit mbetet shembull i bashkëpunimit multikulturor, i cili po shënon rezultate të dukshme.
L.A.
Add new comment