Amerika, dhe bota, përkujton 11 shtatorin

Postuar në 11 Shtator, 2011 11:51

Të gjitha site-et online, gazetat, televizionet e agjencitë e informacionit janë fokusuar sot gjatë gjithë ditës tek përkujtimi i 10 vjetorit të sulmit terrorist mbi SHBA-të. Alarmi mbi akte të mundshme terroriste, që u dha nga strukturat e sigurisë dhe u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë para disa ditësh nuk mundi të shkurajonte mijra qytetarë të New Yorkut, e të Washingtonit në vendimin për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Në qendër të vëmendjes ka qenë çifti presidencial Barack e Michelle Obama, por krah tyre kanë qenë dhe George W. Bush me të shoqen, Laurën, të cilët morën ndonjë duatrokitje më tepër nga të pranishmit në Ground Zero se qeraxhinjtë e sotëm të Shtëpisë së Bardhë. Ceremonia u dallua nga minutat prekëse të heshtjes, nga “apeli” që familjarët, të gjithë familjarët, u bënë të dashurve të tyre, që s’janë më prej dhjetë vitesh, nga lotët e derdhur (edhe Presidenti dhe ish-Presidenti u panë të përdëllyer, teksa shihnin fëmijë që kujtonin prindërit e tyre me fjalë që u dilnin nga zemra), nga një këngë e Paul Simon (The Sound of Silence), nga fjalimet e qëlluara telegrafike të tre “të mëdhenjve”: Barack Obama lexoi një psalm të Biblës, ku flitet për kurajon, George Bush lexoi një letër që Lincoln-i u dërgonte pas luftës civile nënave të të rënëve në atë luftë (thelbi i mesazhit të asaj letre është shumë i thjeshtë e kuptimplotë: s’ka armik të jashtëm që mund të na mundë; vetëm ne mund të mundim vetveten), kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg, lexoi do vargje të Shakespeare-it, e kështu me radhë.

Ceremonia vijon.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.