George W. Bush tregon momentin më të tensionuar të jetës

Të dielën e shkuar, televizioni amerikan HBO transmetoi një dokumentar me rastin e 10 vjetorit të sulmit terrorist mbi SHBA-të, që amerikanët, duke e lidhur me datën 11 shtator, e quajnë shkurt 9/11. Pjesë e këtij dokumentari ishte dhe një intervistë me ish-presidentin George W. Bush, të cilit, në përgjigje të një pyetjeje, iu desh të nxirrte në shesh momentin më të tensionuar të dy mandateve presidencialë të kaluara në Shtëpinë e Bardhë. Gazetari, ashtu si dhe ju, ka pritur që ky moment i tensionuar të kish lidhje me goditjen që iu bë kullave binjake, apo me momentin kur u zbulua që Saddam Hussein nuk kish prodhuar armë të shkatërrimit në masë, apo me situata të kësaj natyre. Por jo. Momenti më i tensionuar i ish-Presidentit ka qenë, kur ai bëri, me statusin e Presidentit, hedhjen e parë të topit të beizbollit në veprimtarinë 2001 World Series. “Ky ishte momenti më i tendosur i jetës sime”, tha ai. Kish qëlluar dhe në rrethana të tjera, që ai të hidhte topin e beizbollit nga ai rrethi paksa i ngritur i fushës, por – u shpreh ai – “në atë çast adrenalina po më vraponte nëpër vena, dhe topi po më bëhej sikur ish një gjyle”. Për fat të mirë, arriti ta zotëronte veten. "Mora frymë thellë, u përqendrova, dhe e hodha topin tutje”, përfundoi ai rrëfimin e vet.
“A truly great moment in American history” – kështu mbyllej lajmi i huffpost-it mbi këtë intervistë allasoj të ish-presidentit. Një alamet momenti në historinë e kombit amerikan.
E.G.
Add new comment