Panairi i librit, sukses i Ramës, Blushit, H. Kadaresë e Fevziut

Po vihet re një interesim i jashtëzakonshëm për Panairin e Librit. Sot pasdite ka pasur një numër rekord vizitorësh, të cilët kalonin nëpër stenda shtëpish botuese, ndalonin, kqyrnin, shfletonin me kureshtje, blinin, dhe shkonin më tutje duke shtyrë me brryla të tjerë që rrinin ngjeshur me sho-shoqin. Shumica e njerëzve ishin të përqëndruar tek shtëpitë botuese të atyre librave, për të cilët është bërë kohët e fundit një publicitet agresiv, si Dudaj, Press EUT, Toena dhe Onufri. Por rrjedha e njerëzve nuk ka lënë kënd të panairit pa shkelur.
Ngjarja e këtij panairi ka qenë libri i Edi Ramës me titullin ‘Kurban’. Në qoshen e shtëpisë botuese ‘Dudaj’ kish mizëri njerëzish, të cilët pasdite donin të shfrytëzonin dhe praninë e autorit të librit për t’i marrë autograf. Në të njëjtën orë u dukën në panair dhe Ben Blushi e Blendi Fevziu, të cilët bënë që shumë njerëz të ndalonin pranë stendës së Press UET-it për të marrë libra të nënshkruar nga autorët. Libri tjetër i kërkuar ka qenë ai i Helena Kadaresë me titull ‘Kohë e Pamjaftueshme’, në të cilin autorja bën një biografi të Ismail Kadaresë, dhe rrjedhimisht një autobiografi.
Librat e Blushit, Kadaresë e Ramës tërhiqeshin aq shumë, sa shpesh herë në stenda nuk kish kopje, dhe lexuesve u duhej të prisnin në radhë deri sa të mbërrinin kopje të tjera.
Re.Pu.
Add new comment