Pse partitë e vogla parapëlqejnë listat e hapura?

Siç lihet të nënkuptohet në lajmin tonë me titull kilometrik “Si mund të bëhet korrektimi kombëtar elektoral që duan partitë e vogla, pa ndryshuar kushtetutën”, partitë e vogla janë bërë tok sot paradite me synimin për t’u marrë vesh e për të ushtruar presion mbi partitë e mëdha lidhur me kodin zgjedhor që u vjen sipas midesë. Kodi aktual, i hartuar dhe i miratuar pas një marrëveshjeje PD-PS, ka qenë në dëm të partive me ndikim modest elektoral. Dhe fakti është që këto parti të vogla ose kanë mbetur jashtë parlamentit, ose përfaqësohen atje me kryetarin e tyre. Vetë Ilir Meta, kryetari i partisë më të madhe ndër të voglat, hoqi shumë për të futur në xhep mandatin e deputetit, duke ngjallur dyshime se ai mandat ish produkt marifetesh të sekondës së fundit.
Këto parti nuk janë lodhur shumë për t’u marrë vesh, pasi interesi i tyre është i lexueshëm: sistem elektoral që anon nga proporcionali, prag i ulët lehtësisht i kalueshëm dhe lista të hapura të kandidatëve. Sipas këtij varianti të fundit (listat e hapura), nuk ka rëndësi renditja fillestare e kandidatëve, por ka rëndësi renditja e tyre në fund të procesit të numërimit mbi bazën e votave të fituara. Ky variant shkurajon afirmimin programor e ideologjik të kandidatëve, dhe e shndërron garën elektorale në një garë pasanikësh. Partitë e vogla pra i mëshojnë kësaj ideje me shpresën se do ta kenë të lehtë të gjuajnë deputetë me lekë me “vokacion politik”, të cilët do të jenë të interesuar në vetë të parë për të fituar sa më shumë vota në zonën e tyre, rrjedhimisht do të derdhin lekët varda. Këto vota, kuptohet, shkojnë dhe në interes të partisë në hesapet që bëhen në rang kombëtar.
M.N.
Add new comment