Inflacioni dhe interesi i kredive bien. Lajm i mirë?

INSTAT-i njofton se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2011, arriti 111.4 përqind kundrejt muajit Dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 1.7 përqind në krahasim me dhjetorin e 2010-ës. Ndërkohë rritja vjetore e këtij indeksi një vit më parë kishte qenë dy herë më e madhe – 3.4 përqind. Pra, kemi patur një ulje të ndjeshme të inflacionit. Gjithashtu Banka e Shqipërisë njofton se interesat e kredive të bankave për individët dhe bizneset pësuan rënie të ndjeshme gjatë 2011-ës, duke arritur një rekord minimal shumëvjeçar.
Nga një këndvështirm individual, këto duken lajme të mira në pamje të parë – mallrat, shërbimet dhe kreditë kanë kushtuar më pak! Por parë nga një këndvështrim makroekonomik, këto lajme thjesht përforcojnë lajme të tjera, që tregojnë për një ngadalësim të ekonomisë shqiptare. Rënia e çmimeve të mallrave, shërbimeve, kredive etj. ndodh kur kërkuesit e tyre nuk janë të gatshëm t’i blejnë ato me çmimet që ofrohen. Si rezultat ofruesit e ulin çmimin, në mënyrë që të ndjellin blerësit. Por gatishmëria e blerësve ulet kur fuqia e tyre blerëse ulet. Më tej, kur fuqia blerëse ulet, motori i ekonomisë së tregut fillon të punojë me xhiro më të ngadalta.
Si dilet nga një situatë e tillë? Zakonisht qeveritë pompojnë pará në sistemin ekonomik nëpërmjet investimeve dhe transferimeve monetare drejt familjeve në nevojë. Por qeveria jonë nuk kishte pará as për t’i dhënë një shpërblim pensionistëve me rastin e fundit të vitit. Ndërsa investimet e saj janë përqëndruar kryesisht në tunelin e Krrabës, ku një kompani greke është përfituesja kryesore e këtij investimi…
E.Zaloshnja
Comments
Faleminderit per analizen.

Faleminderit per analizen. Tashi Saliu do te na thote se jemi mire me inflacionin dhe ky eshte lajm i mire edhe pse njerezit nuk kane fare fuqi blerese.

Duhet patur kujdes ne

Duhet patur kujdes ne analizimin e lajmeve te tilla sepse edhe ekonomistet nuk bien dot dakord, lere pastaj jo-ekonomistet.
Pergjithesisht inflacioni eshte tregues i keq dhe cdo ngadalesim i tij eshte interesant. Por per mua si amator qe jam me ben pershtypje se kriza e 2008 filloi pikerisht me nje DEFLACION kunder te cilit ekonomite madhore te botes u pergjigjen me masa ekstreme, ulje te normes se interesit nga bankat e tyre qendrore deri ne printim te parave per tua ulur vleren (quantitative easing). Nje tipar dallues i ketyre vendeve ishte kriza e sektorit bankar qe ne Shqiper nuk eshte as prezente (madje edhe po te ishte prezente me nje ekonomi te tipit cash ne dore nuk do te ishte as influente). Por deflacion ka patur edhe ne recesione te tjera te medha si per shembull ne vitet 1930. Mundet te jete lajm i mire dhe qeveria te kete te drejte dhe se punesimi eshte rritur dhe ekonomia eshte ne rritje, por mund te jete qe qarkullimi dhe konsumi eshte ulur ne masen qe njerezit shtrengojne lekun fort dhe nuk blejne keshtu qe cmimet nuk rriten. Per kete duhen pare treguesit e konsumit gje qe nuk jepet ne kete artikull.

Z. Astrit, Edhe unë amator i

Z. Astrit,

Edhe unë amator i ekonomisë jam. Por më kanë bërë përshtypje 2 gjëra, që zakonisht ekonomitë në zhvillim kanë një inflacion më të madh se ekonomitë e zhvilluara dhe se Olivier Blanchard, krye-ekonomisti i FMN-së mendon se zona euro (e pakrahasueshme, si nivel, me ekonominë shqiptare) duhet të ketë një inflacion rreth 4% nëse dëshiron rritje ekonomike.

Me sa kuptoj unë, modestisht, Shqipëria që të ketë njëfarë rritjeje ekonomike dhe nivel punësimi duhet të ketë inflacion më të lartë. Ndërsa deri më sot nuk kam dëgjuar për deflacion të shoqëruar me punësim më të lartë, përkundrazi deflacioni do të thotë që njerëzit nuk kanë cash në dorë dhe zakonisht papunësia dhe efekti i saj: varfëria, janë ato që sjellin mungesë cash-i dhe mungesë inflacioni.

Jam dakord (me njohurite e

Jam dakord (me njohurite e mia te pakta) se deflacioni nuk i ka sjelle te mire ndonje ekonomie. Por ne rastin e ekonomnise shqiptare nuk duket, te pakten nga shifrat e bera publike, se po kalojme vertet ne deflacion, duket se ka vetem nje reduktim inflacioni gje qe ne vetvete nuk perben aresye per tu shqetesuar. Por sigurisht nese ky eshte fillimi i nje "trend"-i deflacionist do te ishte e tmerreshme, por ne kete nuk e dime akoma.

Niveli i inflacionit ne vetvete nuk sjell rritje ekonomike, cdo zone ekonomike duhet te kete nivelin e vet optimal te inflacionit dhe nuk eshte e thene qe niveli i eurozones te jete i njejte me ate te Shqiperise. Po ashtu ka edhe dy shkolla ekonomike qe me shume se kurre jane ne kunderrshtim opinioni ne keto vite krize ekonomike globale. Shkolla keynesiane qe mbron nderhyrjen fiskale per te stabilizuar ciklet ekonomike dhe qe ne kete rast kerkon te rritet inflacioni per te ulur papunesine dhe shtuar rritjen ekonomike qofte edhe duke marre borxh (nje eksponent i mirenjohur i kesaj shkolle mendimi aktualisht eshte kolumnisit i New York Times dhe cmimi Nobel Paul Krugman) dhe filozofise tjeter, qe eshte adoptuar nga ShBA, Banka Europiane dhe Britania e Madhe, qe kerkon disipline fiskale me cdo kusht duke konsideruar si borxhin edhe inflacionin njelloj te rrezikshem dhe qe kerkon politika qe ne thelb jane me deflacioniste (ose me sakte me pak inflacioniste). Si gjithmone e verteta gjendet ne mes, per kete aresye Blanchard ka sugjeruar qe per Europen optimumi gjendet diku tek 4%. Mbase.

Per Shqiperine nuk behet fjale te ule inflacionin nen 3% ne menyre te qellimshme. Por nese eshte e vertete, nje renie e perkoheshme e inflacionit MUNDET (jo me siguri) te interpretohet edhe si nje tregues qe ekonomia shqiptare ka rezerva te metejeshme per tremujorin/vitin ne vazhdim qe te shtoje psh investimet publike pa u bere ndonje hata nga inflacioni i tepert. Sic shkruajta me pare, nje menyre per te dhene diagnoze te sakte do te ishte indeksi i konsumit te brendshem, dmth nese Shqiptaret kane rritur produktivitetin dhe mireqenien dhe parate e teperta qe kane i kane kursyer per neser por pa shtrenguar rrypin, apo kane kohe qe e kane shtrenguar rrypin dhe tani nuk kane me asnje kacidhe per te shpenzuar dhe varferia e shtuar i ka bere te ulin konsumin (si amator qe jam kjo gjuhe popullore me shkon per shtat!). Une vete jetoj larg dhe nuk kam shume kontakt me vendin tim, intuitivisht kam frike se Shqiperia nuk po shkon nga begatia e tepert, por per ta mbrojtur kete do te me duheshin prova dhe fakte qe nuk i kam.

Add new comment