Kandidati Newt Gingrich kapet keq me gazetarin e CNN-it. Shkaku? Një pyetje mbi ish-gruan

Debati i mbrëmshëm mes katër kandidatëve republikanë për postin e Presidentit të Shba-ve (kanë mbetur vetëm katër, tanimë) ishte i elektrizuar, por pjesa më e ndezur ishte në momentin kur gazetari i njohur i CNN-it, John King, i bëri një pyetje kandidatit Newt Gingrich lidhur me ish-gruan e tij. Kjo e fundit, Marianne Gingrich, kish dhënë një intervistë në mëngjesin e së njëjtës ditë për televizionin ABC, dhe kish deklaruar se ish-burri i saj i kish bërë një ditë prej ditësh kërkesën për një “martesë të hapur”, teksa ai kish kohë që kish ndërtuar një lidhje paralele me atë që më pas u bë gruaja e tij e tretë. Dhe pyetja e King-ut synonte të ndriçonte këtë moment të jetës së Gingrich-it, por ky i fundit nuk u mendua dy herë për të shprehur një zemërim të fortë kundër kësaj lloj media-je, që fokusohet tek negatizivimi i fushatës dhe kundër gazetarëve që bëjnë pyetje, të cilat ai i kualifikoi si meskine e të përbuzshme (‘close to despicable’, tha ai në gjuhën e vet).
King-u i CNN-it tha më pas, se kjo ishte nga ato çështje, që për një gazetar është “keq ta ngrejë, keq mos ta ngrejë”, por ai nuk është penduar, pasi në fund të fundit të gjithë janë duke folur lidhur me këtë gjë.
“Sidoqoftë, e pranoj se kjo që bëra është një gjë e diskutueshme dhe e debatueshme”, i vuri kapak ai.
Re.Pu.
Add new comment